I tha JO Shqipërisë e JO Kosovës: Shaqiri sot vlen sa Vedat Muriqi
Xherdan Shaqiri luajti mbrëmë në humbjen e Liverpoolit 3-1 ndaj Real Madridit për 10 minuta, por pa lënë gjurmë. Ai është ende 29 vjeçar, por vlera e të cilit ka rënë drastikisht në vitet e fundit megjithëse është bërë lojtar elitar. Por, sa është vlera e tij aktuale?
Shaqiri ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve, me Liverpoolin në sezonin 2018/19 dhe me Bayern Munichun në vitin 2012/13.
Po ashtu, “Shaqa” ka arritur që vitin e kaluar të bëhet edhe kampion i Anglisë me Liverpoolin që fitoi Premier Ligën pas 30 vitesh. Me Bayernin ai ishte bërë tri herë kampion i Gjermanisë, e po ashtu edhe tri herë të tjera kampion i Zvicrës.
Sidoqoftë, në gjithë këto suksese me ekipet e tij, kontributi i tij në fushë ka qenë thuajse i pavërejtshëm përkundër talentit të pamohueshëm.
Në nivelin kombëtar, Shaqiri është bërë një farë heroi për Zvicrën. Nga 86 ndeshje të luajtura, ai ka shënuar 23 gola.
Por, karriera e tij po shkon drejt fundit pasi në tetor mbush të 30-at. Vlera e tij aktuale në treg është vetëm 14 milionë euro, aq sa vlen edhe Vedat Muriqi i Kosovës, dhe vetëm dy milionë më shumë se Rashica dhe Rrahmani.
Shaqiri kishte dëshpëruar keq Shqipërinë kur e kishte refuzuar për t’u bërë pjesë e saj. Pas pranimit në UEFA edhe Kosova ishte munduar ta bindte, por Shaqiri kishte vazhduar të luante për ekipin kombëtar helvetik.
Madje, ai edhe i ka shënuar gol kombëtares kuqezi kur e kishte kundërshtar derisa luante me Zvicrën.
Në Botërorin “Rusia 2018”, Shaqiri kishte shënuar një gol të bukur ndaj Serbisë e për të cilin kishte festuar duke bërë shqiponjën me duar. Për këtë gjest ai kishte marrë gjobë nga FIFA, dhe të cilën gjobë kishin dalë vullnetar që ta paguanin shqiptarët nga të gjitha vendet e botës. Megjithatë, ai bashkë me Xhakën kishin kërkuar falje për gjestin dhe kishin thënë se janë penduar që e kanë bërë.
A do t’i shkonte karriera më mirë Shaqirit sikur ta zgjedhte Kombëtaren e Kosovës – ku do të merrte trajtimin e një heroi? Kjo është një pikëpyetje e madhe për të cilën mund të mos kemi përgjigje asnjëherë. /Periskopi