I riu në Turqi filmon sulmin me thikë, lëndon pesë persona – policia arrin ta arrestojë
Një i ri në Turqi filmoi dhe transmetoi drejtpërdrejt sulmin me thikë para një xhamie.
Në këtë sulm ai arriti të therë të paktën pesë persona – ndërsa shihej me një shami në fytyrë dhe jelek antiplumb, duke sulmuar kalimtarët e rastit në Eskisehir, transmeton Telegrafi.
I dyshuari është një 18-vjeçar i armatosur me thikë të gjatë, dhe që transmetoi direkt sulmin pranë oborrit të xhamisë Tepebasi.
Ai gjatë sulmit nuk e nxori as edhe një fjalë nga goja, kurse pamjet janë rrëqethëse. Megjithatë ai u përplas për tokë nga policia që reaguan me kohë.
“Sulmuesi ishte i veshur si personazhet e videolojërave – me sëpatë në brez, jelek antiplumb, helmetë dhe shami në fytyrë”, u tha nga policia në Eskisehir.
Disa media të atjeshme raportojnë se ai kishte të veshur një bluzë me diellin e zi, një simbol nazist.
Ai nuk ka treguar motivet e këtij sulmi, ndërsa Cumhuriyet raporton se ai ishte i ndikuar nga videolojërat me luftëra.