I moralshëm dhe i padijshëm
Unë jam imoralist, ose që doni, i pamoralshëm e i pafytyrë. Unë nuk besoj që ju besoni në nji moral absolut e univerzal. I ka dekë nana asaj pune, moti. Prandaj, kur t’flasim për politikën ose për çkado, duhet me harru moralin. Mos ia këqyr gunën, por këqyrja punën – thotë populli. E pra, mos ia këqyrni gunën Ademit, o qorra. Mos ia këqyrni fytyrën. Askush prej neve s’ka fytyrë e moral. Askush prej neve, s’beson te këto idiotsina. Këqyrne punën e tij. Këqyrne idiotsinë e tij. Kaq mjafton.
Nëse, s’muni me përfytyru ni mënyrë t’re qysh funksionon pushteti, atëherë mshelne gojën. Kallxoni, pse s’duhet me e shtri PDK-ja pushtetin e saj qysh t’ja rrokë; me punësu njerëz të partisë, me iu dhanë tendera firmave që e kanë mbështetë, e të tjera? Ose, pse ni njeri në nevojë mos me pranu me u punësu përmes tyne, edhe nëse nuk i përmbushë kriteret?
Por krejt në fillim, le t’pyesim: kush asht Adem Grabovci? Ai asht ni njeri midis juve. Njeri i moralshëm, me familje, që i don fëmijët e tij, që e don gruen e tij, dhe del e rrin nëpër kafe me shokët e tij. Pra, ni njeri i moralshëm, që për vetveten, për familje, shoqni e parti, del në imoralitet me raste – si krejt ju. E vëllimshmëria e imoralitetit tuej, o njerëz të moralshëm, ka me qenë në pikëpyetje, si ajo e tij. Sepse po flasim, për ni moralitet të kalbun, që s’ka ku me u pështet. Adem Grabovci nuk asht dreq. As Hashim Thaçi. Ai asht i padijshëm, bashkë me shefin e vet.
Ajo që e tregojnë përgjimet, po e përsëris, nuk duhet me u pa prej nji kandshikimi moralist. Ju nuk skandalizoheni prej bisedave të tij veç pse i keni marrë me mend e i keni përfytyru. Uh nime, t’ndalemi te këto përfytyrime. Qysh ka mundësi ju, qenie të moralshme, me përfytyru kësi karakteresh imorale? Ju thashë de: ju jeni nisoj. Ju nuk skandalizoheni prej bisedave të tij, shkeljeve të kritereve e konkurseve, sepse ju e njihni mënyrën qysh ai mendon.
Sepse edhe ju, kishit me vepru si ai. Sepse edhe juve iu ndodh me qenë të pamoralshëm, me raste. E sa herë iu ndodhë me qenë të pamoralshëm, askush kurrë s’ka me e dijtë. A po paragjykoj? Jo, sepse unë nuk kam nevojë me iu njoftë personalisht ose me iu hetu që me e dijtë që edhe vetë e shkelni moralin me t’cilin gjykoni. Sepse unë besoj që juve iu maron diskursi.
Sepse njeri n’vetvete s’ekziston – e kjo duhet me u thanë dhe me u kuptu. Ju po e orientoni krejt vështrimin drejt Grabovcit, kah prapanica e tij, e cila, natyrshëm, dihet çka qet. Por ajo që flet, asht goja, truni – ni tip i caktuem kulture, njohjesh, dijesh.
Qe pse, duhet me mendu konkretisht për teknologjinë e këtij pushteti. Jo prej nji perspektive morale. Jo tu vajtu a tu përqeshë. Por tu e thanë kjartë: ky pushtet asht i padijshëm e prandaj i vrazhdë. Por tu e vnu kritikën bash aty ku përnime qëndron thelbi i forcës së tyne: te dreqnia.
T’i analizojmë votuesit e tyne. Ata nuk janë krejt të padijshëm e injorantë. Jo, ata e ndjekin ni model të njerit të gjindshëm, mafi, të llastuem, barabë, që shpurdhë. I kundërt me qyqanin. E këtu s’ka asni t’keqe. Fundja, inteligjenca praktike e kapërcen inteligjencën teorike. Bota, e kapërcen njerin. Realiteti mun me ia kalu fantazisë ma pjellore – shkruen Gorki.
Hashim Thaçi asht njeri i qitun në dritë prej këtij diskursi me fytyrë e moral. Ai ka fytyrë, ka moral, ka familje, ka shokë, ka jarana e dosta – dhe duket i gjindshëm. Si Pippo Inzaghi para portës. Domethanë, duket se asht në vendin e duhun, në kohën e duhun.
Por, ajo çka unë kontestoj te Thaçi nuk asht moraliteti i tij, por gjindshmëria e tij. Dijet e tij. Unë besoj që Thaçi nuk asht njeri i gjindshëm, njeri i dijshëm e i mençëm. Ai nuk e ka aftësinë e Inzaghit. Në rend të parë, ai asht personalitet krejt i padashtun sod e gjithë ditën. Njeri pa kurriz. Asht jopragmatike mos e thy kurrizin. Paradite, del në paradë të LGBT+ e mbas dite, ulet kambkryq në oda burrash dhe pajton gjin. Paradite, me Kushtetutë në dorë, e mbasdite me kanun në dorë. Kjo nuk asht gjindshmëri. Ta marrim si shembull prapë futbollin: a asht gjindshmëri nëse Inzaghi e merr ni top tjetër prej jashtë fushe dhe e shtin në portë. Jo. Prandaj fitoret e Thaçit janë të kontestueshme. Ai asht i paaftë. Ai asht qyqan. Budallë. Shkaku që nuk din me udhëheq, atij i kanë dalë prej dore, ni mori deputetësh, e kryetarë komunash. Sa aktgjykimi e aktvendimi kundër njerëzve të partisë së vet. Mandej, sa largimi. Mandej, sa armiku. Ia kanë dredhu trupin tu e shti me u përkulë: përkulu para kufomave sërbe të luftës, përkulu para varreve të familjes Jashari – e cila e ka leçitë, përkulu para varrit të Rugovës – i cili e ka shpërfillë dhe e ka sosë në zgjedhje, përkulu para njerëzve të partisë, përgjunju para ambasadave, refuzohu në vizita kahmos, akuzohu për krime lufte, akuzohu për korrupcion, akuzohu për çkamos… Kjo asht karrierë e dështueme politike. Karrierë përkuljesh e përgjunjesh. Karrierë e një vargu shumë të madh të dobësive.
Përgjimet e shpërfaqin dobësinë dhe injorancën e Grabovcit dhe shokëve të tij. Askush prej juve nuk e thotë që, në telefonatën me Bahri Hysenin, ai nuk e din bile as nëse ka konkuru ky i fundit. Këtu tregohet çorganizimi e jo organizimi i shkeljes. Por, edhe në raste tjera kur ka organizim ne e vërejmë që asht organizim naiv, organizim qyqanësh.
Njerëzit që e votojnë PDK-në me arsyetimin se “Thaçi asht i qimë nane”, le ta harrojnë atë punë. Dhe në pyetjen e tyne që pason, “pra qysh erdh deri këtu?”, unë iu përgjigjem: jo, përmes dredhive por përmes nji rasti: luftës. Lufta i ngriti ni mori njerëzish që as n’andrrat ma t’mira nuk e kishin pa pushtetin.
Rrethana e luftës asht rrethanë ku çmontohen lidhjet, përmbysen vlerat: rrethanë ku mjeranët, qyqanët e dobësirat e shohin mundësinë para vetes. Thaçi ka ardhë në pushtet përmes vlerave të luftës. PDK e ka mbajtë pishtarin e këtyne vlerave. Por çka nënkuptonte kjo fjalë? Shkurt e shqip: njerëz që kanë luftu. Dhe dredhia e gjindshmëria e Thaçit në atë rast asht përbrenda grupit të njerëzve që kanë luftu. Finito.
Ai i ka humbë të gjitha zgjedhjet për 9 vjet rresht megjithëse e kishte ni bazë të madhe votuesish nga zona e Drenicës dhe mbështetësit e luftës. Humbje e humbje e humbje. Por, tu qenë në ni parti qyqanësh, askush nuk ia kontestonte pozitën. Ndërsa zgjedhjet i fitoi, kur LDK-ja u nda në dysh. Dhe qysh e kapilarizoi pushtetin? Ndëgjojini përgjimet. Me idiotësinë e vrazhdësinë ma t’madhe. Siç thoshte Servani, nji pushtetar i zoti arrin me i sundu njerëzit përmes vargonjëve të ideve dhe vlerave. Por Thaçi, megjithëse ishte trashëgimtar i vlerave të luftës, meqenëse s’diti si t’i përpunonte, i shkatërroi plotësisht ato. Lufta sot, nuk gëzon as për së afërmi simpatinë e mbasluftës. Por si mbijeton politikisht Thaçi dhe njerëzit e tij? Përmes moralit. Pikërisht përmes këtij morali të ngurtë me të cilin gjykoni ju. Ky pushtet, pavetdijshëm, duke ndëhyrë në punësime, përmes klientelizmit, çmoralizon. Paramendojini, të gjithë ata njerëz që pushteti i tij i ka punësuar përmes ndërhyrjeve. Secilin prej tyre e brenë sindromi i mashtruesit, ndërgjegjja morale e konstruktueme nga idiotësia. Pra, ky pushtet sundon jo thjesht tu punësu por edhe tu çmoralizu. Nuk ka asni kuptim me iu thanë të papunëve të këtij vendi: rrini, mos pranoni me u punësu përmes ndërhyrjesh dhe mos u njollosni moralisht. Albin Kurti, e kishte mirë kur në kohë zgjedhjesh i porosiste qytetarët: kur vijnë me ble votën tuej, merrjani paret, por mos ia jepni votën. Domethanë, banu mashtrues. Kjo asht ni gjetje e mirë, e mençme, ni dalje nga morali i ngurtë kantian. Por Albin Kurti, nuk e ka mirë kur e gjykon pushtetin pikërisht përmes moralit popullor. Kjo asht jopragmatike. Dhe pragmatizmi asht ajo që vlen. Vetvendosje e ka ni problem të madh, vetvështrimin! Ajo kënaqet tu u la e shpërla moralisht për me hjekë çdo njollë prej vetes. Prandaj, qytetarët edhe kur iu dalin nëpër protesta, duhet me përjetu nifarë tjetërsimi, nifarë shpërlamje. Sepse njerëzit nuk janë të panjollë. Askush nuk asht. Njerëzit nuk janë të përsosun, por të damkosun. Qysh e thotë edhe Kamy te miti i Sizifit, në qoftë se ish dashtë me u shkru e vetmja histori domethanëse e mendimit njerëzor, ajo kish me qenë historia e pendimeve të tij të njipasnjishme, dhe e pafuqisë së tij (faqe 22). Prandaj, që duhet me u projektu gjithqysh ni pushtet i ri, ai duhet mos me qenë lavazh që i pastron njerëzit nga njollat, por që i pranon ashtu qysh janë.
Po e përsëris: ky pushtet asht aksidental dhe i padijshëm. Lexojeni për shembull, statusin e fundit të Isa Mustafës në facebook për ‘shkencën dhe demarkacionin’. Ose mos përtoni me i ndëgju prapë përgjimet… dhe mos u ngutni me i gjyku ani pse asht ma e lehtë, por mendoni për to.
Morali duhet me qenë ky: poshtë paditunia!