I lindur në Gjermani e i rritur në Kosovë, historia dhe rrugëtimi i suksesshëm i Edon Zhegrovës
Edon Zhegrova është duke e kaluar një sezon mjaft të suksesshëm, ndërsa ka hyrë në mendjet dhe në zemrat e tifozëve të Lillet në Francë.
Për formën e lartë që po e shfaq, faqja zyrtare e Ligue 1 Uber Eats, tek rubrika e profilit ia ka kushtuar një shkrim “Messit të Kosovës”, duke e përfshirë historinë dhe rrugëtimin e tij.
Dy gola dhe çmimi i lojtarit të ndeshjes. Edon Zhegrova ishte i pandalshëm kundër RC Lens në Derbin e Veriut në fundjavën që shkoi, për t’i ndihmuar “Les Dogues” në fitoren 2:1 ndaj rivalëve lokalë.
Kjo nuk ishte hera e parë që 25 vjeçari, i cili e festoi së fundmi ditëlindjen, ishte vendimtar në ndeshje.
Përfaqësuesi kosovar i ka realizuar 5 gola dhe i ka bërë 5 asistime deri tash në 26 takime.
Zhegrova ishte lindur në Gjermani, ku prindërit e tij kishin shkuar për t’iu shmangur luftës në Kosovë në vitin 1998.
Më pas, ai me familje ishin kthyer në Kosovë kur Edoni ishte dy vjeç, ndërsa në vendin e prindërve kishte nisur të merrej me futboll.
“Ishin rrugët e Prishtinës ku i riu Edon kishte nisur ta shfaqte talentin e tij të pashtershëm, ndërsa shpejt iu bashkua klubit lokal, ku do t’i shënonte rregullisht nga 5-6 gola për ndeshje. Njerëzit filluan ta vinin re menjëherë. Talentin e tij e zbuloi edhe gjiganti italian, AC Milan”, shkruan “ligue1.com”.
Zhegrova ka folur për rrugëtimin e tij me nostalgji.
“Një ditë në vitin 2012, AC Milan e organizoi një kamp të madh trajnimi në Kosovë. Për një javë, 200 djelmosha të rinj ishin ftuar të bëheshin pjesë e këtyre provave. Unë mora vesh për këtë kamp vetëm në minutat e fundit”, thotë ish-futbollisti i Baselit.
“Trajneri im më dërgoi atje me shpejtësi. Më duhej të vishesha me nxitim ndërsa fëmijët tjerë ishin tashmë në fushë. Është për të qeshur sepse isha regjistruar i fundit në listë, por në fund përfundova i pari përpara krejt pjesëmarrësve. Dhe, këtu ndryshoi gjithçka për mua”, vazhdoi Zhegrova.
Bashkë me disa lojtarë të tjerë, 12 vjeçari i atëhershëm ishte ftuar në vizitë në San Siro për t’i takuar yjet si Kaka e Pato, por edhe për të ushtruar me “Rossonerit” e vegjël, përcjell “Express”.
Në moshën 15 vjeçare, sulmuesi i krahut e kishte marrë rrugën drejt Belgjikës për t’iu bashkuar Standard Lièget e më pas Saint-Trond, tek ekipet e të rinjve.
Katër vjet me asnjë ndeshje garuese zyrtare
Megjithatë, ekzistonte një pengesë në zhvillimin e futbollistit, i cili në fillim ishte regjistruar tek shkolla e futbollit e Flamurtarit.
Mes moshës 15 e 18 vjeç, Edoni kishte zhvilluar veç ndeshje miqësore ose kishte ushtruar për shkak të shtetësisë së tij kosovare (Kosova nuk ishte e pranuar në UEFA e as në FIFA).
I vendosur menjëherë në ekipin e parë, ylli kosovar i zhvilloi 24 ndeshje (përfshirë këtu katër në Europa League) para se të nënshkruante me ekipin zviceran, Basel.
Ai i kaloi më pas tri vjet në Swiss Super League dhe bëri më shumë eksperiencë evropiane, për t’iu bashkuar Lillet në janar të vitit 2022.
Pas një sezoni e gjysmë me “Les Dogues”, 24-vjeçari e ka arritur një tjetër nivel.
“Në çfarë aspekti jam përmirësuar që kur kam ardhur këtu? Fizikisht dhe taktikisht, por edhe në mënyrën e të luajturit më thjeshtë”, ka thënë Zhegrova në një intervistë dhënë faqes zyrtare të Lillet së fundmi.
“Nuk është se unë dua ta ndërroj lojën time apo aftësitë e mia që ta bëj diferencën në situatat një kundër një. Nëse e bëj një driblim, për shembull, është sepse unë e di që mund ta bëj atë. Mirëpo, ajo që ma ka mësuar trajneri është të luaj më thjeshtë, sidomos në zonat e rrezikshme nëse rrezikoj ta humbi topin”, ka përfunduar Zhegrova.
Prishtinasi u rikthye së fundmi edhe në Kombëtaren e Kosovës, ku bëri paraqitje mjaft të mira në miqësoret me Armeninë dhe me Hungarinë në muajin që e lamë pas.
Gjatë verës që po vjen, “Messi i Kosovës” pritet ta bëjë një tjetër hap përpara në karrierë duke u transferuar në një klub më të madh evropian.