I burgosuri vdes në Klinikën Infektive, Shërbimi Korrektues jep detaje për rastin

I burgosuri vdes në Klinikën Infektive, Shërbimi Korrektues jep detaje për rastin

Një i burgosur ka humbur jetën në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po trajtohej që një periudhë si pasojë e sëmundjes së mushkërive.

I ndjeri A.M., ishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë në nëntor të vitit 2024.

SHKK thotë se “në momentin e pranimit, gjendja e tij ka qenë stabile, por me të dhëna për sëmundje paraprake të mushkërive.”

“Gjendja e tij ka filluar të përkeqësohet dhe, përkundër angazhimit të stafit të kësaj klinike, nuk është arritur që pacienti të mbahet në jetë.” – thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Njoftimi i plotë:

Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve njoftojnë opinionin publik se sot, rreth orës 21:50, në Klinikën Infektive të SHSKUK-së, ka ndërruar jetë i burgosuri A.M.

I njëjti ishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë më 14.11.2024.

Në momentin e pranimit, gjendja e tij ka qenë stabile, por me të dhëna për sëmundje paraprake të mushkërive. Ai ishte duke u trajtuar për një gjendje gripale, e cila ka progreduar në mushkëri. Për këtë arsye, është dërguar për kontroll specialistike pulmologjike.

Në Klinikën e Emergjencës në SHSKUK, janë konsultuar radiologu, pulmologu dhe kirurgu torakal, dhe pacienti është transferuar në Klinikën Infektive.

Gjendja e tij ka filluar të përkeqësohet dhe, përkundër angazhimit të stafit të kësaj klinike, nuk është arritur që pacienti të mbahet në jetë.

Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes.

Shpërndaje në: