I arrestuari për kërcënimin e Kajtazit ndalohet për 48 orë, Prokuroria: Vazhdojmë me veprimet tjera hetimore
Policia e Kosovës mbrëmë konfirmoi se ka arrestuar një person, i dyshuar për kërcënimin e gazetarit Vehbi Kajtazi.
Driton Dobruna e kërcënoi Kajtazin se “do ta lyente dhe do ta djegë me benzinë, dhe se të dy do të shkojnë në ferr”.
Lidhur me rastin është deklaruar mëngjesin e sotëm edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria bëri të ditur se pas publikimit të informatave rreth kërcënimit që ka marrë gazetari Kajtazi, Prokurori i Shtetit, në koordinim me policinë, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
“Veprimet e ndërmarra kanë rezultuar fillimisht me arrestimin e të dyshuarit nga Policia e Kosovës, ndërkaq, me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Kanosja”, sipas KPRK-së. Prokuroria, në koordinim me policinë, po vazhdojnë me ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore lidhur me këtë rast” thuhet në njoftimin zyrtar.