I akuzuari për moslajmërim të përgatitjes së sulmit terrorist ndaj Kombëtares së Izraelit në 2016 arrin marrëveshje për pranim fajësie

I akuzuari për moslajmërim të përgatitjes së sulmit terrorist ndaj Kombëtares së Izraelit në 2016 arrin marrëveshje për pranim fajësie

I akuzuari për terrorizëm Kushtrim Hoxha ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Kjo marrëveshje u arrit në seancën e së martës në Gjykatën Themelore të Prishtinës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Hoxha akuzohet se edhe pse ka qenë në dijeni për veprimet përgatitore të grupit terrorist për akt terrorist ndaj lojëtarëve dhe tifozëve të Kombëtares së Izraelit në vitin 2016, nuk i kishte lajmëruar organet kompetente.

Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, deklaroi se pas shqyrtimit të kërkesës së mbrojtësit të të akuzuarit Hoxha, avokatit Asdren Bytyqi, dhe pas autorizimit nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është arritur marrëveshja për pranimin e fajësisë.

Prokurori propozoi që gjykata me rastin e caktimit të dënimit ndaj të akuzuarit të shqiptojë një dënim prej 1 viti e 6 muaj deri në 2 vite burgim.

Po ashtu, prokurori Kodraliu kërkoi nga Gjykata që masa e arrestit shtëpiak t’i vazhdohet të akuzuarit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, si dhe i njëjti t’i paguajë shpenzimet procedurale.

Nga ana tjetër, avokati Bytyqi kërkoi që kjo marrëveshje për pranimin e fajësisë të pranohet si e ligjshme, duke argumentuar se ajo është arritur vullnetarisht nga i mbrojturi i tij. Kërkoi që të shqiptohet dënimi më i ulët i mundshëm.

“E njëjta është arritur vullnetarisht nga i pandehuri dhe është në përputhje me ligjin”, deklaroi avokati Bytyqi.

Gjykatësi i çështjes, Rrahman Beqiri, paraprakisht e informoi të akuzuarin për të drejtat e tij ligjore dhe e pyeti nëse është i njohur me përmbajtjen e marrëveshjes. Hoxha konfirmoi se është në dijeni.

“Qëndoj në tërësi pranë marrëveshjes… negocimin që e kemi pas është i kjartë, qëndroj mbrapa deklaratës që e kam dhënë … këtë marrëveshje e kam bërë në mënyrë vullnetare”, tha i akuzuari Hoxha.

Ndryshe, seanca e datës 8 nëntor 2024, nuk është mbajtur në mungesë të të akuzuarit Hoxha.

Aktakuza e ngritur më 22 tetor 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngarkon të akuzuarin Kushtrim Hoxha se gjatë muajit tetor- fillim i nëntorit 2016, është takuar dhe ka marrë pjesë në biseda të vazhdueshme me tani të dënuarit V.I., B.I., L.V., F.G., K.P., A.A., L.G., L.M dhe B.P., për vepra penale të terrorizmit sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Hoxha ka qenë në dijeni për ekzistimin e këtij grupi terrorist dhe veprimet përgatitore që i kanë planifikuar t’i ndërmarrin për kryerjen e aktit terrorist- sulmit me eksploziv ndaj lojëtarëve dhe tifozëve të Klubit Futbollistik të Kombëtares së Izraelit në ndeshjen që do të zhvillohej në Shkodër më 12 nëntor 2016.

Aktakuza thotë se me reagimin e organeve të drejtësisë së Kosovës dhe falë bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, sulmi ishte ndaluar, ndërsa i akuzuari Hoxha edhe pse kishte qenë i njoftuar për këto veprime të këtij grupi terrorist, e kishte fshehur dhe nuk kishte lajmëruar organet kompetente.

Me këto veprime, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Fshehja ose moslajmërimi i terroristëve dhe grupeve terroriste” nga neni 142, paragrafi 2, lidhur me nenin 385, paragrafi 2, nënparagrafi 2.4 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, PSRK-ja ka zhvilluar hetime penale ndaj të pandehurit Kushtrim Hoxha, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, por pas zhvillimit të hetimeve dhe deklaratave të të pandehurit Hoxha, u vërtetua se ai ka konsumuar elementet e veprës penale “Fshehja ose moslajmërimi i terroristëve dhe grupeve terroriste”. Se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet, thuhet se kjo u vërtetua mjaft qartë dhe bindshëm nga provat e bashkëngjitura në shkresat e lëndës, siç janë: Kallëzimi penal, raporti njoftues i Policisë së Kosovës, deklaratat e të dyshuarve L.M., K.P., B.I., raporti njoftues mbi implementimin e kontrollit, e të tjera.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri, gjatë deklarimit të tij në Policinë e Kosovës si dhe në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, në prani të avokatit, ka pohuar se ka qenë në shoqëri me disa nga personat tashmë të dënuar për terrorizëm dhe ka qenë në dijeni për veprimet e tyre që do të ndërmerreshin për sulm terrorist si hakmarrje ndaj luftës në Siri në atë kohë. Gjatë deklarimit të tij, thuhet se ai kishte pranuar fajësinë për moslajmërim të veprës penale të terrorizmit dhe ishte penduar.

“Sa i përket veprave penale ‘Përgatitja e veprave penale’ dhe ‘Organizimi në grup terrorist’, ndihem plotësisht i pafajshëm”, kishte deklaruar ai.

Ndërsa për pajisjet e gjetura në shtëpinë e tij, ai kishte deklaruar se nuk i kishte për të kryer ndonjë akt terrorist.

“Arma e konfiskuar nga Policia është armë rekreative me ngjyrë, e blerë në Prishtinë. Dylbia, e cila është blerë, ka qenë pjesë e kësaj arme. Radio-lidhjet kanë qenë pjesë e punës sime, pasi kam qenë si IT. Këto kanë qenë për shitje, ndërsa dronin e kam porositur online shumë kohë më parë, dhe gjithçka ka qenë vetëm për hobi. Gjithashtu, droni, është e rëndësishme të theksohet, nuk është kompletuar apo përdorur ndonjëherë. Paratë kanë qenë të miat, të siguruara nga paga ime. Prandaj edhe një herë deklarohem se për posedimin e tyre nuk kam pasur ndonjë qëllim për të kryer ndonjë akt terrorist”, kishte deklaruar i akuzuari.

Shpërndaje në: