Hysni Gucati shpall kandidaturën për udhëheqës të OVL-së së UÇK-së: Jam zëri dhe mbrojtësi i veteranëve
Më 18 janar do të mbahet kuvendi për zgjedhjen e udhëheqësit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK).
Ish-kreu i kësaj organizate, Hysni Gucati, ka shpallur kandidaturën e tij për këtë post, duke deklaruar se gjithmonë ka qenë në shërbim të interesave të veteranëve dhe në mbrojtje të vlerave të luftës.
“Sa kam qenë në krye të OVL-së, kam mbrojtur të gjitha interesat e veteranëve dhe çdo herë kam qëndruar pranë tyre. Çdo herë isha zëri i tyre dhe mbrojtësi i vlerave të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,” deklaroi Gucati.
Ai theksoi se kandidatura e tij është përgjigje ndaj kërkesave të veteranëve dhe degëve të OVL-së. “Sot, me kërkesë të veteranëve dhe degëve të OVL-së së UÇK-së, jam kandidat për drejtimin e organizatës. Në çdo moment do të jem zëri i vërtetë i veteranëve, mbrojtësi i vlerave të luftës dhe kundërshtari më i madh i gjykatave që padrejtësisht luftojnë çlirimtarët tanë,” shtoi ai.
Gucati kujtoi gjithashtu kundërshtimin e tij ndaj Gjykatës Speciale që në vitin 2015 dhe premtoi se do të vazhdojë angazhimin e tij për kthimin e bashkëluftëtarëve në Kosovë. “Sikur në vitin 2015, kur me shokë kundërshtova Gjykatën Speciale, të njëjtën gjë do ta bëj përsëri, që bashkëluftëtarët dhe shokët tanë të kthehen në Kosovë sa më parë,” u shpreh ai.