Hysen Durmishi nuk e ndëshkon kompaninë e pesë centëve që e la pa asfaltuar autostradën, i jep sërish tender

Hysen Durmishi nuk e ndëshkon kompaninë e pesë centëve që e la pa asfaltuar autostradën, i jep sërish tender

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) është në rrugën për të dëmtuar buxhetin e shtetit për afro 1.3 milion euro. Hysen Durmishi po do t’i japë tender kompanisë që jo shumë kohë më parë nuk e kreu punën e paraparë sipas kontratës. E njohur si kompania e pesë centëve e gërreu rrugën, e nuk e shtroi asfaltin. Ndëshkim nuk ka nga udhëheqja e re…

Grupi i kompanive “Damastion Project” & “Via Egnatia”, të kontraktuar nga MMPHI, në vitin 2020 e patën gërryer asfaltin për disa kilometra në të dy anët e rrugës nacionale Prishtinë – Pejë, konkretisht në mes të fshatrave Komoran e Llapushnik. Rruga nuk  ishte asfaltuar kurrë dhe ministria nuk e kishte ndëshkuar kurrë kompaninë po ashtu. E tash, ironikja është se përkundër punës jo të mirë, pritet që e njëjtë kompani të shpërblehet me tenderë sërish për mirëmbajtje të autostradave të Kosovës.

Lidhur me këtë, Periskopi ka gjetur se kompania lider e grupit “Damastion Projekt”  e cila është e obliguar të asfaltojë atë pjesë, ka validitet të kontratës edhe dy muaj me ministrinë. Kompania nuk po e asfalton rrugën në fjalë, ngase kur kishte ofertuar për tender nuk ia kishte marrë mendja se do të shfaqej nevoja për asfaltim, por vetëm për mirëmbajtje. Andaj kishte vendosur çmim “për toke” tek pozicioni i asfaltit. Fiks 5 cent e kishte vënë ofertën për m2 për shtrimin e asfaltit, ndërse tek elementet tjera të mirëmbajtjes i kishte fryrë çmimet. Në fund, kishte dalë kompania më e lirë dhe ishte shpërblyer me kontratë.

Udhëheqja e re e prokurimit të MMPHI, ka vendosur që të shpërblejë përsëri me tender për mirëmbajtjen e autostradave kompaninë në fjalë. Në atë trio bën pjesë edhe  “Company Eskavatori”. Ndryshe nga hera e kaluar, kur kompania kishte vendosur çmime prej 5 cent për m2 për asfaltit deri në 4.5 cm, kemi mësuar se tash kompanitë kanë vendosur çmime prej rreth 7 euro për m2.

Periskopi ka provuar të marrë një përgjigje nga ministria që në krye e ka Liburn Aliun e në menaxhim Hysen Durmishin, por nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje  se si ka ndodhur të rekomandohet me kontratë kompania e cila nuk po e asfalton rrugën, pasi ka validitet edhe dy muaj.

Çka parasheh kontrata tash?

Më datë 17 shkurt 2022, Prokurimi i Ministrisë ka hapur tender kornizë  për 36 muaj të vlerës së madhe me procedurë të hapur, të llojit shërbime për “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e autoudhës A7 (Ibrahim Rugova), lot 1 dhe 2 dhe Mirëmbajtje verore dhe dimërore e Autoudhës A6 (Arbër Xhaferi) lot 3 dhe 4”.

Vlera e parashikuar e kontratës për tri vjet është 16 milionë e 434 mijë euro.

Fillimisht, kërkesa në dosje e tenderit  për katër pjesët ka qenë që kompanitë të ofertojnë me çmimin për njësi. Por, duke parë që tenderi kornizë për shërbime nuk e lejon këtë formë të ofertimit me njësi, por me sasi, atëherë prokurimi i ministrisë e ka korrigjuar dosjen e tenderit dhe ka vendosur që ofertat për vitin kalendarik 2022-2023, dhe 2024-2025 të vendosen me çmimin për sasi, ndërsa ofertat e kompanive për vitin kalendarik  2023 -2024 të vendosen në çmimin për sasi. Me një fjalë, kjo punë e ka bërë “lëmsh’’ dosjen e tenderit, konkretisht pjesën e përmasës, ku janë të vendosura dhjetëra artikuj që duhet të blihen nga ministria (që nga kripa e deri tek shtrimi i asfaltit, apo kositja e barit).

Ministria ka pranuar gjithsej 18 oferta për këtë tender. 14 nga to kanë qenë grup i kompanive, ndërsa vetëm katër nga to kanë garuar si kompani të vetme. Shumica e garuesve kanë aplikuar për katër pjesët.

Më pas prokurimi i ministrisë që udhëhiqet nga menaxheri Nexhat Krasniqi ka hapur ofertat dhe ka rekomanduar për kontratë këto kompani.

Lot 1 e ka fituar Grupi i kompanive me lider “Lika Company” SHPK & “Lika Trade”.

Lot 2: Grupi i kompanive me lider  kompaninë “2A Group” SHPK & NNT  “ABC” SHPK & “B CORP” SHPK & “JUBICA” SHPK.

Lot 3. Grupi i kompanive, me lider kompaninë “Damastion Project” Shpk & “Via” & “Company Eskavatori”.

Lot 4. Grupi i kompanive me lider kompaninë “Arbotec” SHPK & “Arbotec GMBH” –Dega në Kosovë.

Ka pasur kompani që kanë ofertuar më lirë se këto grupe të rekomanduara, por janë përjashtuar nga gara për arsye të ndryshme se nuk i kanë plotësuar kërkesat.

Cila ishte kontrata e vitit 2019?

Në fillim të korrikut të vitit 2019, Ministria e Infrastrukturës kishte nënshkruar një kontratë kornizë për tri vite që quhej “Mirëmbajtja rutinore dhe dimërore e autoudhës A7 (Ibrahim Rugova) e A6, nga udhëkryqi A7 A6 deri në kyçjen në Konjuh si dhe rrugën Nacionale N9”.

Kontratë ka qenë e ndarë në 2 lot (pjesë).

Pjesën e dytë e kishte fituar grupi i kompanive “Damstation Project & Via Engantia& Urban”  në vlerë prej 3 milionë e 500 mijë e 654 euro e 70 cent, dhe kishte të bënte me mirëmbajtjen: Segmenti Besi -Gjurgjicë, udhëkryqit të autoudhës A7/A6 – deri në Konjuh dhe kyçja me rrugën nacionale N2.

Pra, rruga në Komoran është gërryer nga kompanitë “Damstation Project & Via Engantia& Urban” .

Ditë më parë Periskopi ka raportuar po ashtu se aty janë gërryer 220 mijë m2 asfalt, që aktualisht në treg kushton rreth 7 euro m2 i asfaltit me fibra, e që kompanisë do t’i kushtonte rreth 1.3 milion euro, po ta asfaltonte. Kompania, sipas kontratës e cila është e publikuar në KRPP, tek lista e çmimeve të kontratës, kapitulli 5 që ka të bëjë me “Mirëmbajtja e shtresave të asfaltit”, pika 5.5 ka paraparë pozicionin “Shtesa e re qarkulluese SMA, 11 me trashësi mesatare prej 4 cm me gërryerje”. Në këtë kontratë, për tri vite, për këtë pozicion kanë qenë të parapara të asfaltohen sasia prej 210, 600. 00 m2, në një vlerë prej 0,5 cent për m2. Totali i saj i bie vetëm 10 mijë e 530 euro.

Pra, siç shihet, kompania kishte ofertuar me çmime të ulëta tek ky pozicion vetëm që ta fitonte kontratën, duke mos llogaritur që do të kërkohej asfaltimi i rrugës, ndërkohë në pozicionet tjera kishte vendosur çmime tejet të larta. P.sh, duke e ditur se në terren mund të shfaqet nevoja vetëm për riparim të ndonjë pjesë të rrugës, kishte vendosur çmim prej 12 euro për m2 për pozicionin 5.2 “Riparimi i gropëzimeve, gjurmëve, plasaritjeve të shtresës qarkulluese deri në 4 cm trashësi”. Për këtë pozicion ishin paraparë intervenimi në 1200 m2 në një çmim prej 14,400 euro. 99 mijë euro ishte paraparë vetëm pastrimi dhe larja se paku 2 herë në vit e sipërfaqes qarkulluese për 165 km, që i bije 600 euro për 1km.

Neni 9 i kësaj kontrate ka të bëjë me “Ndërprerjen e Kontratës nga Autoriteti Kontraktues”. Aty tregohet qartë se kur mund të shkëputet kontrata njëanshëm nga ana e Autoritetit Kontraktues.

“9.1 Autoriteti kontraktues mundet që, pasi të japë Ofertuesit të Shërbimeve 14 ditë paralajmërim, ta ndërpres kontratën në ndonjërën nga rast e më poshtme:

“(a) Ofertuesi i Shërbimeve dështon në përmbushjen brenda një afati të arsyeshëm të paralajmërimit të dhënë nga autoriteti kontraktues që kërkon nga ai vet të evitojë ndonjë neglizhencë apo dështim për të realizuar obligimet e veta sipas kontratës, dhe të cilat ndikojnë në mënyrë serioze në realizmin e duhur dhe më kohë të shërbimeve. (b) Ofertuesi i Shërbimeve refuzon ose është neglizhent në rrëzimin e urdhrave admirativ të dhënë nga autoriteti kontraktues”.

Pra, Autoriteti Kontraktues- Ministria e Infrastrukturës, nuk e ka aplikuar këtë nen të kontratës. Përkundrazi, ne tenderin e ri e ka rekomanduar përsëri për kontratë kompaninë e njëjtë, por tash do të angazhohet në një pjesë tjetër, bëhet fjalë për segmentin nga kryqja e autoudhës A7/A6 me rrugën nacionale N2, udhëkryqi Veternik deri në kyçjen e Ferizajt.

Periskopi ka arritur të shohë ofertën financiare të kompanisë “Damstad” e cila është rekomanduar për lot 3“, që ka të bëjë më plotësimin e paramasës. Tash në ofertën e re, tek shtresa e asfaltit, kompania ka vendosur çmim prej 6.80 euro për m2 për shtresën e re qarkulluese SMA, 16 me trashësi mesatare prej 4.5 cm. Pra në të njëjtin artikull, në kontratën paraprake ka pasur çmim prej 5 centëve. Artikulli është pikërisht për trashësinë e rrugës që është gërryer nga kompania.

Një tjetër artikull që ka të bëjë me shtresat e asfaltit është edhe “riparimi i dëmtimeve të mëdha deri në 17 cm trashësi”. Në këtë artikull tash është vendosur çmimi prej 12 eurove, ndërsa në kontratën e kaluar ishte vendosur 10 cent.

Periskopi ka parë se kompania nuk ka vendosur çmimet në rreth 200 artikuj, ashtu siç është kërkuar në dosjen e tenderit. Pra, shumicën e përmasës e ka lënë të pa plotësuar.

Pjesa e rrugës e cila ka mbetur e gërryer, e që është dashur të asfaltohet konform kontratës, tash do të bie mbi përgjegjësinë e grupit të kompanive që janë rekomanduar për kontratë për Lot 2:  “2A Group” SHPK & NNT  “ABC” SHPK & “B CORP” SHPK & “JUBICA” SHPK./PERISKOPI/

 

Shpërndaje në: