Hungaria në udhëheqje të Presidencës së Bashkimit Evropian, çka do të ndodh me aplikacionin e Kosovës për në BE?

Hungaria në udhëheqje të Presidencës së Bashkimit Evropian, çka do të ndodh me aplikacionin e Kosovës për në BE?

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, pret që gjatë udhëheqjes së Presidencës të Bashkimit Evropian nga Hungaria, të ketë lëvizje pozitive sa i përket marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, i cili që më shumë se një vit e gjysmë po qëndron në sirtarë të BE-së. Megjithatë, skeptik për një gjë të tillë janë nga opozita dhe njohësit e integrimeve evropiane.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni thotë për KosovaPress se pret që Hungaria të ketë një rol proaktiv dhe pozitiv për shqyrtimin e aplikacionit për marrjen e statusit të vendit kandidat për Kosovën. Ai është optimist se gjatë presidencës hungareze do të largohen në tërësi edhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Mirëpo, skeptik për një gjë të tillë është deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

Sipas tij, pengesë për anëtarësim në BE, janë pesë vendet mosnjohëse të Kosovës, si dhe moszbatimi i marrëveshjeve të dialogut. Ai kërkon që në pjesën e dytë të këtij viti të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Në anën tjetër, ish-diplomati kosovar, Blerim Canaj, deklaron se shqyrtimi i aplikacionit për anëtarësimin e Kosovës në presidecën hungareze, do të jetë i vështirë edhe për shkak të qasjes pro Vuçiq të kryeministrit, Viktor Orban.

Hungaria ka marrë presidencën e Këshillit të BE-së, më 1 korrik të vitit 2024, dhe do të mbajë deri më 31 dhjetor. Nga 1 janari presidencën e radhës do të kryesojë Polonia.

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022.

Shpërndaje në: