Hungaria në krye: Çfarë të pritet nga udhëheqja e saj me BE-në?

Hungaria në krye: Çfarë të pritet nga udhëheqja e saj me BE-në?

Nga 1 korriku, Hungaria udhëheq presidencën e Bashkimit Evropian. Gjashtë muajt e ardhshëm mund të jenë të vështirë për lidershipin e BE-së, marrë parasysh se kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka qëndrime kontradiktore me BE-në: nuk është i kënaqur me sanksionet e saj kundër Rusisë, ka penguar ndihma ushtarake dhe financiare për Ukrainën dhe ka vënë në pikëpyetje aspiratat e Kievit për anëtarësim në BE.

Për më tepër, Hungaria, e vetëquajtur “demokraci joliberale”, është penalizuar nga BE-ja, e cila ia ka ngrirë 6 miliardë euro fonde, të destinuara për të.

Por, pavarësisht marrëdhënieve të tilla, presidenca gjashtëmujore e Hungarisë në gjysmën e dytë të vitit 2024 mund të mos jetë aq dramatike dhe problematike sa disa mund të kenë frikë.

Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian – një prej organeve kryesore vendimmarrëse të bllokut, që përbëhet prej ministrave të qeverive të shteteve anëtare – e mban me rotacion secili prej vendeve anëtare për një periudhë prej gjashtë muajsh.

Sipas disa burimeve në Bruksel, presidenca hungareze nuk është duke shkaktuar shumë net pa gjumë. Kjo, kryesisht për shkak të dy faktorëve: rolit aktual të presidencës dhe veçorive të kalendarit politik.

Roli i zvogëluar

Presidencat e Këshillit të Bashkimit Evropian nuk janë më ato që kanë qenë.

Ka qenë një kohë kur vendi që ka qenë në krye, ka kontrolluar vërtet agjendën, duke mbajtur samite në kryeqytetin e tij dhe duke udhëhequr politika edhe prapa skenave.

Kjo ka ndryshuar në vitin 2004, kur është vendosur që të gjitha samitet e rëndësishme, të mbahen në kryeqytetin belg, Bruksel.

Ndryshimet janë thelluar pastaj në vitin 2009 me Traktatin e Lisbonës – i projektuar për të përmirësuar efikasitetin dhe legjitimitetin demokratik të BE-së – i cili ka krijuar një sërë funksionesh të reja dhe ka bërë që fuqia të përqendrohet në Bruksel.

Traktati i Lisbonës ka krijuar një president të përhershëm të Këshillit Evropian, i cili u takon kryesisht krerëve të shteteve ose qeverive të vendeve anëtare.

Postin aktualisht e mban politikani belg, Charles Michel – tashmë në largim. Mandati i tij është pesëvjeçar dhe ai i kryeson të gjitha samitet.

Këshilli, gjithashtu, ka një sekretariat shumë të zgjeruar dhe të fuqishëm, të përbërë nga zyrtarë të BE-së me ekspertizë në të gjitha fushat e politikave.

Traktati i Lisbonës ka paraparë edhe një shef të politikës së jashtme të BE-së, në pozitën e të cilit aktualisht është politikani spanjoll, Josep Borrell – edhe ai në largim – si dhe një trup diplomatik, Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm, për t’i dhënë peshë pozicionit të politikës së jashtme.

Atëherë, si ndikon e gjithë kjo në presidencën hungareze? E zvogëlon ndikimin e dy anëtarëve më të sulmuar nga Brukseli të Qeverisë nacional-konservatore të Hungarisë: Orbanit dhe ministrit të tij të Jashtëm, Peter Szijjarto.

Por, Budapesti natyrisht se do të mund t’i ndikojë ende diskutimet, siç është parë edhe me zbulimin e sloganit të tij për presidencën – “Ta bëjmë Evropën sërish të madhe” – të frymëzuar nga Donald Trump.

Dy burrat do t’i kryesojnë ende takimet joformale ministrore, e madje edhe një samit në Budapest në nëntor, por roli i tyre do të jetë mjaft sipërfaqësor.

Ata, gjithashtu, do të duhet të përballen me pyetje në konferenca për shtyp dhe nga mediat e huaja, të cilave zakonisht u shmangen.

Atëherë, çfarë konkretisht i mbetet Hungarisë për të bërë?

Ministrat e tjerë të saj, si ata që janë përgjegjës për bujqësinë apo drejtësinë, do t’i kryesojnë mbledhjet e Këshillit në fushat e tyre. Diplomatët hungarezë do ta bëjnë të njëjtën gjë edhe në grupet përgatitore të punës.

E gjithë ideja e presidencës me rotacion është që zyrtarët në krye të jenë ndërmjetës të ndershëm dhe të kërkojnë konsensus mes shteteve anëtare.

Në vend se të shkaktojë telashe, Hungaria mund të vendosë të luajë mirë.

Zyrtarë nga shtete të ndryshme anëtare kanë thënë se zyrtarët hungarezë janë sjellë në mënyrë profesionale në prag të presidencës dhe kanë theksuar se gjithçka do ta bëjnë sipas rregullave.

Kalendari politik

Faktori i dytë që mund t’i kufizojë ambiciet hungareze për ta imponuar agjendën e saj, është kalendari politik. Në gjashtë muajt e ardhshëm, pak pritet të ndodhë në Bruksel sa i përket legjislacionit të ri.

Kjo, për shkak se kryeqyteti i BE-së do të jetë i zënë me emërimin e një Komisioni të ri Evropian, që është krahu ekzekutiv i bllokut dhe propozuesi i ligjeve të reja.

Ky proces përfshin seanca dëgjimore në Parlamentin Evropian për miratimin e komisionarëve të rinj – një nga secili shtet anëtar. Procesi pritet të zgjasë pothuajse gjithë vjeshtën dhe Hungaria nuk ka asnjë rol për të luajtur.

Paraprakisht ka pasur edhe një përpjekje të furishme – dhe kryesisht të suksesshme – nga presidenca e deritashme belge për t’i kryer disa punë, përpara se Hungaria ta merrte rolin. Për shembull, një rund i ri sanksionesh kundër Rusisë është miratuar më 24 qershor.

Drita jeshile i është dhënë gjithashtu Ukrainës dhe Moldavisë, më 25 qershor, për të filluar bisedimet e pranimit në BE. Procesi i shqyrtimit të kapitujve të ndryshëm të politikave të anëtarësimit të dy vendeve kandidate pritet të zgjasë më shumë se gjashtë muaj dhe ka të ngjarë që Budapesti nuk do të merret fare me këtë çështje, por se ajo do t’i kalojë Polonisë, si kryesuese e BE-së nga 1 janari i vitit 2025.

Ndërsa Hungaria është shprehur kundër ambicieve të tanishme të Ukrainës për t’u anëtarësuar në BE, një nga prioritetet e saj gjatë presidencës pritet të jetë avancimi i perspektivave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Serbisë, e ndoshta edhe të Bosnje e Hercegovinës dhe Gjeorgjisë.

Përpara presidencës së Hungarisë, BE-ja ka arritur t’i dërgojë edhe ndihma ushtarake Ukrainës, në vlerë prej 1.4 miliard eurosh, për ta mbështetur në mbrojtjen kundër Rusisë. Këto para kanë ardhur nga asetet e ngrira ruse në BE dhe Brukseli ka arritur ta tejkalojë veton e Budapestit për këtë masë.

Por, vetoja hungareze qëndron ende mbi shtatë këste të tjera të ndihmës ushtarake për Ukrainën, me vlerë gati 7 miliardë euro.

Hungaria është mësuar të bëjë pazare me Brukselin. Ajo mund të përpiqet ta lidhë mbështetjen e saj për ndihmën e mëtejshme ushtarake për Ukrainën me 6 miliardë euro fonde të BE-së, që ia ka bllokuar Brukseli.

Nëse Budapesti nuk i përmbush kërkesat e BE-së për sundimin e ligjit deri në fund të vitit, ai do t’i humbasë përgjithmonë 1 miliard euro. Kjo është një marrëveshje që hungarezët do të duan ta bëjnë. /RadioEvropaeLirë/

Shpërndaje në: