Hoxhallarët nuk varrosin pa para – Shumica e kosovarëve borxh deri në fyt, rrezikojnë të mbesin mbi dhe

Periskopi.com Lajme

Mbi dhe mund të mbeten 3/4 e banorëve të Kosovës, të cilët nuk e paguajnë anëtarësinë në Bashkësinë Islame të Kosovës. Hoxhallarët nuk punojnë pa pare. Çmimi që duhet paguar është katër euro.

Besimtarët myslimanë në Kosovë, pagesën për anëtarësi vjetore e bëjnë ditën e varrimit të familjarëve – sepse, nuk kanë çare pa vepruar kësisoj.

BIK-u ka thënë se nuk ofron shërbime për asnjërin që nuk i ka kryer borxhet e anëtarësisë.

Të liruara nga pagesa janë vetëm rastet sociale.

“…nëse ata që nuk kanë paguar anëtarësinë e kërkojnë shërbim nga Këshillat tanë, natyrisht që ata do e shohin a i ka paguar anëtarësinë dhe këtë nëse i ka mundësit financiare do i kërkohet pagesa, nëse jo është i liruar”, thuhet në përgjigjet e Sadriut drejtuar Gazetës Express.

Por, në Bashkësinë Islame nuk janë të kënaqur me numrin e besimtarëve që paguajnë anëtarësinë. Sadriu thotë se sipas statistikave që kanë, anëtarësinë e paguajnë vetëm rreth 25 për qind të besimtarëve.

I pyetur se sa para mbledh BIK’u në vit nga pagesat e anëtarësisë, Sadriu thotë se nuk ka informacion dhe se për këtë  duhet shikuar pasqyrat financiare të secilit këshill.

Ai deklaron se tubimi dhe menaxhimi i anëtarësisë është kompetencë e Këshillave të BIK’ut nëpër terren. Derisa, shton se pagesat mund të bëhen tek imamët nëpër xhami dhe tek personat e tjerë përgjegjës.

“Anëtarësia mund të paguhet tek imamët nëpër xhami, në administratën e Këshillave vendor si dhe tek personat e autorizuar nga këshilla -inkasantë. Personat që tubojnë anëtarësinë janë të pajisur me autorizim dhe me fletë dëshmi për pagesë. Anëtarësia tubohet gjatë tërë vitit”, thotë Sadriu.

 

 

 

Shpërndaje në: