Hoxhallarët e Quintit
Thuhet se Aleksandri i Madh para se të ekzekutonte disa plaçkitës që kishte zënë robë, ishte ngatërruar me ta në një bisedë moralizues për profesionin famëkeq të tyre. Qortimeve se puna që bënin ishte e ndyrë dhe e padrejtë, prijësi i cubave thuhet t’ju ketë përgjigjur: “Puna që bëj unë është e njëjtë me punën që bën ti, të dy vrasim e plaçkitim, ti plaçkitë territore mbretërish e popuj të tërë, kurse unë shtëpi e karvanë. Dallimi i vetëm është se ti ke shumë ushtarë e fuqi kurse unë pak ushtarë e fuqi fare, për këtë arsye ty të thënë perandor e mua më thonë cub.
Deputeti Etem Arifi është cub! Ai ka pak votues e aspak fuqi dhe për veprën e tij famëkeqe e shkatërrimtare të “ushtrimit të ndikimit…” [sipas vendimit të Gjykatës] u desh që atij t’i merrej mandati, të burgosej e të rrëzohej një qeveri e të shpenzoheshin miliona euro për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Albin Kurti në anën tjetër, ka shumë votues e shumë pushtet dhe vepra e përdorimit të armës kundër vullnetit të deputetëve të zgjedhur dhe institucioneve të shtetit [për të cilën është dënuar] përnjëherë është vepër përkëdhelëse.
Ne, vendasit e Kosovës, mund edhe të kemi mirëkuptim e qasje afirmative – herë për Kurtin e herë për Arifin – sipas disponimit, rrethanave e tifozllëkut!
Habitëse është qasja e emisarëve të Quintit!
Një ditë pas votimit të qeverisë këta dalin me deklarata nxitëse dhe ushtrojnë trysni në partitë opozitare që të akomodojnë pa hamendje binomin Kurti-Osmani, duke kërkuar në mënyrë gati ultimative votat për Osmanin!
Tash, Quinti zakonisht ma lodhë me derse për respektimin e Kushtetutës, rendit e ligjit, e natyrisht edhe me derse për vlerat euro-atlantike e të gjitha vlerat tjera që i përfaqësojnë.
Mbrojtja e kushtetutshmërisë, rendit e ligjit, kërkon që Quinti të ishte [si zakonisht në situata të ngjashme kontestuese] me brengë për faktin se një politikan në Kosovë, të cilit Gjykata Kushtetuese ia ndaloi pjesëmarrjen në zgjedhje, u emërua Kryeministër vetëm pak javë më vonë! Po të kishte qenë ndonjë individ tjetër i shënjestruar, kjo do të kishte shkaktuar indinjatë e skena teatrale si ato të kohës kur tentohej të zhbëhej Gjykata Speciale.
Por sot, kur shpresa që me Vjosa Osmanin e Kurtin, dialogu do të arrijë finalizimin – shpresë kjo që ka mbizotëruar te Quinti për secilën qeveri deri sot – i verbëron së paku njërin sy emisarëve të rendit dhe ligjit, e i shtynë ata që të obligojnë edhe kundërshtarët politikë të shndërrohen në shërbyes të kauzës që qëllimi arsyeton edhe mjetet më dëshpëruese!
Nuk jam unë kundër që Albin Kurti të jetë Kryeministër!
Por si bën që në emër të asaj që Kosova është vend ku nuk respektohen sa duhet rendi e ligji, qytetarëve të këtij vendi t’i mohohet e drejta e lëvizjes së lirë në vazhdimësi kurse të njëjtit kërkojnë nga deputetët që të anashkalojnë vendimet e gjykatave e edhe Kushtetueses dhe të votojnë kompozicione politike që bazohen në shkelje serioze të po këtyre parimeve për të cilat ndëshkohet komplet një popull.
Nuk është hera e parë që veprohet kësisoj: Fatmir Sejdiut iu lejua për kohë të gjatë të shkelte Kushtetutën dhe e larguan vetëm kur nuk iu duhej më. Njësoj vepruan me Thaçin e me shumë të tjerë.
Quinti nuk mund të sillet si në anekdotën ku një hoxhë në fund të një bisede argumentuese i thotë besimtarit “bon çka t’thom unë, por mos bo çka t’boj unë!”
Nuk e ngrit besueshmërinë në sinqeritetin e pohimit që ngecjet e Kosovës në liberalizimin e vizave e procesin e integrimeve janë të ndërlidhura me mos-respektimin e ligjit në Kosovë, duke kërkuar që të mbyllen sytë para ligjit gjithherë kur emisarëve iu duket e rëndësishme që të shtyjnë ndonjë kauzë të momentit.
Dëmi që i bëhet konceptit të drejtësisë kur aplikohet në mënyrë selektive nga miqtë ndërkombëtar është po aq i madh sa mos-aplikimi nga ana jonë! Së fundi, nuk mund të luftohet shteti i krimit dhe korrupsionit – siç e parapëlqen të na e prezantojë Vjosa Osmani shtetin në mediat e huaja – duke e filluar me veprime të tilla mospërfillëse ndaj rendit e ligjit, që nëse asgjë tjetër është tallje me Kushtetutën e gjykatat e vendit.