Hoxhaj: Vendimi për heqjen e vizave për Bosnjën, asgjë më pak se kapitullim

Hoxhaj: Vendimi për heqjen e vizave për Bosnjën, asgjë më pak se kapitullim

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj ka reaguar pasi Qeveria vendosi t’ia heqë vizat dhe rrjedhimisht t’i lejojë qytetarët e Bosnje e Hercegovinës që vetëm me letërnjoftim të hyjnë në Kosovë.

Hoxhaj ka thënë se ky vendim nuk është asgjë më pak se kapitullim.

“Pas dorëzimit në CEFTA, tani ai po i nënshtrohet bllokadës së Republikës Srpska, pa siguruar lëvizje të lirë reciproke për Kosovën. Por sot, si mund ta justifikojë Kurti që regjimi për pasaportat e lëshuara nga Zyra Koordinuese e Serbisë lejon serbët të lëvizin lirshëm në BE—duke legjitimuar në mënyrë efektive pretendimin e Serbisë mbi qytetet e Kosovës? Ky vendim i Brukselit është një sulm i qartë ndaj sovranitetit të Kosovës, ndaj të cilit Kurti ka heshtur dhe nuk ka kundërshtuar në bisedimet e tij në tavolinat e majta, të cilat kanë rezerva ndaj shtetësisë së Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj.

Tutje ai ka deklaruar se kësisoj kryeministri Kurti po e hap rrugën për agjendën e Beogradit, duke minuar pavarësinë e vendit.

“Jam shumë krenar që kam qenë unë ai që ka propozuar regjim të vizave me Bosnjën dhe Hercegovinën pasi Repubika Srspka kishte kushtëzuar tërë shtetin boshnjak që të merrte një vendim të tillë! Të shoh Kryeministrin Kurti që sot pa asnjë reciprocitet të shpall një vendim të tillë, është gabim shumë i madh politik, ngaqë qytetarët tanë do presin para ambasadave të Bosnjës dhe pse mos të presin edhe ata para ambasadave të Kosovës!”, ka shkruar tutje ai.

Shpërndaje në: