Hoxhaj: Serbia po sillet me shtetet e Ballkanit sikur Rusia me fqinjtë e saj

Hoxhaj: Serbia po sillet me shtetet e Ballkanit sikur Rusia me fqinjtë e saj

Ish-kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj, ka qenë pjesë e panelit diskutues të konferencës “Ndikimi i agresionit rus në Ukrainë, në gjeopolitikën evropiane”, ku ka folur për ndikimin rus dhe sjelljen e Serbisë ndaj shteteve të Ballkanit, dhe më gjerë.

Në panelin diskutues të konferencës, të organizuar nga Instituti Octapus, nënkryetari i Kuvendit, deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka folur për luftën e Ukrainës, ndikimin rus në Evropë dhe Kosovë si dhe sjelljen e Serbisë karshi fqinjve të saj.

“Paqja ishte normë dhe lufta u pa si një lajthitje për një kohë të gjatë në Evropë. Me luftën në Ukrainë dhe në Lindje të Mesme, lufta është bere mjerisht pashmangshmë e kohës sonë! Një kohë kemi besuar në pabesuëshmërinë e luftës, sot mjerisht mund të flitet për pashmangshmërinë e saj! Kjo tregon për kohën në të cilën jetojmë, që është jo vetëm e pasigurtë dhe e trubullt, por tërësisht e paparashikueshme! Kjo sot, është e qartë sapo të lexojmë lajme për sulmet e padrejta të Iranit kundër Izraelit, për luftën në Gaza, por edhe për luftën në Ukrainë.”, ka thënë Hoxhaj.

Fjalimin e tij në panel, Hoxhaj e ka shpërndarë në faqen e tij në Facebook.

“Një gjë është e duhur dhe e drejtë: që lufta në Ukrainë e rizgjoi gjeopolitikisht Perëndimin, duke u shndrruar në një mbështetje politike, diplomatike, ushtarake dhe ekonomike! Kam pritur edhe më shumë mbështetje perëndimore për Ukrainën, gjë që shpresoj ta shoh pas zgjedhjeve në ShBA, të cilat do të nxjerrin një Amerikë më të fortë pas pak javësh! Këtë e pres edhe me Komisionin e ri Evropian, por edhe me një Gjermani më të fortë vitin e ardhshëm, pas zgjedhjeve atje!”, ka thënë Hoxhaj.

“Por, një gjë është e rrezikshme: që lufta në Ukrainë u përdor edhe për rizgjimin e ambicieve hegjemoniste në Ballkan! Problemi më i madh që ka rajoni është hegjemonia serbe dhe kërcënimet ndaj Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjes e Hercegovinës. Serbia vazhdon të ndjekë ambiciet hegjemoniste në Ballkan, duke sfiduar sovranitetin e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosjnes përmes ndërhyrjeve politike, përpjekjeve destabilizuese, luftës hibride dhe mbështetjes për grupet radikale dhe kriminale në këto vende. Grupet kriminale dhe paramilitare ishin ato që synuan që të bënin puç kundër qeverisë malazeze, ngjashëm me agresionin në Banjskë vitin e kaluar më mbështetje të shumëfisht të Serbisë. Një problem tjetër që është i ndërlidhur me të parin, është politika perëndimore e përkdheljes së Serbisë.”, ka thënë Hoxhaj në fjalimin e tij.

“Qasja e Perëndimit, shpesh duke favorizuar zbutjen e Serbisë, nuk arrin të përballet me këto veprime destabilizuese. Kjo politikë inkurajon sjelljen agresive të Serbisë duke minuar sovranitetin e fituar me vështirësi të Kosovës, por edhe atë të Malit të Zi dhe të Bosnjes! Perëndimi ka ndërtuar një rend evropian në Ballkan me hartën e shteteve të pavaruara, ku Mali i Zi në 2006 dhe Kosova në 2008 ishin të fundit, duke ndjekuar një politikë të parimeve dhe të vijave të kuqe! Ku janë sot vijat e kuqe të perëndimit për Serbinë? Një çështje tjetër që e kemi në Ballkan është politika e status-quo, e cila çon në degradim politik e asesi në përparim. Kjo ka të bëjë me ndikimin që ka mosveprimi i BE-së dhe NATO-s: Mungesa e zgjerimit konkret të BE-së dhe mungesa e anëtarësimit në NATO për Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit kanë krijuar një vakum sigurie. Kjo ka lejuar fuqitë e jashtme si Rusia të ushtrojnë ndikim dhe të destabilizojnë më tej rajonin, e cila sot është më e madhe se sa është menduar kur ka filluar lufta në Ukrainë. “, ka thënë Hoxhaj.

“Sot, Serbia sillet në Ballkan ndaj fqinjëve të tyre njëjtë sikurse Rusia, me të vetmin dallim që Serbia është sa bastion i ndikimit rus, po aq zgjatje e Rusisë në rajon! Meqë ndërhyrja ruse në Ballkan, duke përdorur Serbinë si një përfaqësues, mbetet një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë, duke promovuar narrativat antiperëndimore dhe duke nxitur tensionet etnike, këtë çështje mund adresohen permes nje politike të strukturuara! Një politikë e tillë duhet të jëtë një vazhdimësi e forcimit të shtetësisë së Kosovës përmes njohjes së plotë ndërkombëtare dhe anëtarësimit në NATO, te cilat thelbësor për ruajtjen e sigurisë rajonale dhe për t’iu kundërvënë kërcënimeve të jashtme, veçanërisht në dritën e sfidave të sigurisë në zhvillim të Evropës. Për forcim të shtetësisë kanë nevojë edhe vet Mali i Zi, Bosnia e Hercegovina dhe Maqedonia Veriore! Meqë integrimi evropian i ngecur dhe Kosova përballet me mungesë të përparimit thelbësor në integrimin në BE dhe reformat e tjera kyçe të ngecura, po ndodhë një zhgënjim gjithnjë më i madh politik, stagnim ekonomik edhe më i dukshëm dhe migrim gjithnjë më masiv i rinisë drejt BE-së, por edhe vendeve tjera perëndimore! Agresioni rus ndaj Ukrainës ka ekspozuar dobësitë në arkitekturën e sigurisë së Evropës, por BE sot ka nevojë ta vë edhe më shumë si prioritet dhe domosdoshëri për një integrim më të madh të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE për të parandaluar agresione të ngjashme. “, ka thënë Hoxhaj.

“Për Kosovën dhe për shtetet tjera, bashkëpunimi dhe qëndrueshëmria rajonale janë të rëndësishme. Është një nevojë urgjente për një bashkëpunim më të madh rajonal dhe ndërtim të qëndrueshmërisë midis shteteve pro-Ballkanit Perëndimor për t’iu kundërvënë këtyre forcave destabilizuese dhe për të mbrojtur sovranitetin dhe stabilitetin e rajonit! Për Kosovën është me rëndësi që ta marrim jo vetëm përkrahjen e perëndimit, gjë që është jetike, por edhe mbështetjen publike të popujve në rajon, për karakterin dhe natyrën e shtetësisë së Kosovës, për integritetin territorial, sovranitetin, demokracinë dhe natyrën multietnike dhe unitare të Kosovës.”

 

 

 

Shpërndaje në: