Hovenier për vizitën e O’Brien: Patëm biseda të rëndësishme me udhëheqësit e Qeverisë për partneritetin me ne

Hovenier për vizitën e O’Brien: Patëm biseda të rëndësishme me udhëheqësit e Qeverisë për partneritetin me ne

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka shkruar për vizitën e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, dje në Prishtinë, i cili u takua me krerët e shtetit.

Hovenier sot shkroi se kanë pasë biseda të rëndësishme me liderët kosovarë për partneritetin me SHBA-në, si dhe për avancimin e rrugës euroatlantike të Kosovës.

“Faleminderit Ndihmëssekretarit O’Brien për vizitën e tij në Kosovë. Patëm biseda të rëndësishme me liderët e Qeverisë për partneritetin me ne për të rritur paqen dhe prosperitetin, për të siguruar që të gjithë qytetarët e Kosovës të jetojnë në kushte të dinjitetshme dhe të sigurta dhe për ta avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike si një shtet modern dhe europian”, ka thënë Hovenier.

O’Brien dje ka folur edhe për mospajtimet me Qeverinë e Kosovës, për të cilën tha se ajo duhet të zhvillojë më shumë diskutime para se të marrë një vendim dhe se për këtë arsye lindin, me raste, mospajtimet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Ndërkaq, Zyra e Kryeministrit në komunikatën për takimin mes Kurtit dhe O’Brien tha se u “diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe fushat në të cilat mund të thellohen edhe më tej raportet e ngushta ndërmjet dy vendeve tona”.

“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij dhe të Qeverisë për rolin historik dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, dhe për bashkëpunimin e afërt në fushën e energjisë, ekonomisë, financave dhe sigurisë e mbrojtjes”, u tha dje në njoftim.

Shpërndaje në: