Hovenier: Koordinim para aksioneve në veri, Asociacioni urgjentisht të dërgohet në Kushtetuese
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka dhënë mesazhe të qarta lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Asociacionin, dinarin, dhe aksionet e fundit në veri.
Sipas Hovenier, aksioni i fundit në veri nuk i kontribuon stabilitetit.
Ai theksoi se Amerika e njeh përgjegjësinë e qeverisë për shtrirjen e sovranitetit, por vetëm po kërkojnë që të punojnë e koordinohen bashkë.
“ Ne i ngritëm shqetësimet tona. Por, rezultati i këtij operacioni që qeveria e vijoi – dhe e bëri këtë veprim policor në një mënyrë që ne menduam se nuk ishte i koordinuar dhe që vinte në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për zgjidhjen e disa çështjeve në dialog – rezultoi me deklarata publike nga Shtetet e Bashkuara, nga Bashkimi Evropian, shtetet individuale anëtare të BE-së, misioni i NATO-s, misioni i OSBE-së, të tjerët – të gjithë pak a shumë thanë të njëjtën gjë: kjo nuk është mirë për Kosovën”, tha ambasadori amerikan në RTK.
Hovenier deklaroi se kërkesa e tyre specifike është vetëm që drafti i Asociacionit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Ai vlerësoi si urgjentisht për Kosovën që draftin e Asociacionit ta dërgojë në Kushtetuese.
“Shtetet e Bashkuara e kanë thënë vazhdimisht publikisht për një kohë shumë të gjatë dhe në administrata të ndryshme. Partnerët tanë evropianë e kanë thënë publikisht për një kohë shumë të gjatë. Kosova mori zotimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Është bërë në dialogun e lehtësuar nga BE. Ne besojmë fuqishëm se të gjitha obligimet e Kosovës dhe Serbisë në dialog janë të detyrueshme dhe ky është një prej tyre. Dhe po, ashtu siç presim që Serbia të përmbushë të gjitha obligimet e saj në kuadër të dialogut, presim që edhe Kosova të përmbushë të gjitha obligimet e saj. Dhe sipas këndvështrimit tonë, për Kosovën kjo urgjentisht përfshin lëvizjen përpara me Asociacionin, dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim kushtetues”, tha ai.
Hovenier: Kosova duhet të jetë anëtare e BE-së, NATO-s dhe e KiE-së