Hovenier: Jemi të shqetësuar me afatin për targat, shpresojmë të zgjatet
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier në një intervistë për RTV KIM ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendojnë se afati për regjistrimin e veturave në targa RKS nga serbët duhet të zgjatet.
Ai është shprehur se SHBA-të nuk janë kundër këtij vendimi dhe e shohin si të arsyeshëm dhe në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, por në anën tjetër është shprehur pro zgjatjes së afatit, shkruan lajmi.net.
Hovenier është shprehur se SHBA-të mendojnë se duhet të ketë më shumë kohë, sepse kjo është e lodhshme dhe e vështirë.
“Është e qartë se deri më tani nuk ka pasur shumë kërkesa për ta bërë këtë (ri-regjistrimin e automjeteve). Qeveria e Shteteve të Bashkuara beson se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i lejuar njerëzit që jetojnë në Kosovë të drejtojnë automjete që janë të regjistruara në Kosovë dhe vendosja e targave të Kosovës nuk është një kërkesë e paarsyeshme dhe se ky vendim është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, por ne i kemi shprehur shqetësimet tona që në fillim dhe vazhdojmë t’i shprehim për afatin kohor të zbatimit.”, ka thënë Hovenier.
Ai në fund është shprehur se nuk e di nëse zgjatja e afatit do të ndodh dhe se kjo është në dorën e qeverisë, por se kjo ka qenë shqetësim dhe mesazh i SHBA-ve.
“Mesazhi im për qeverinë e Kosovës ishte se ne besojmë se duhet më shumë kohë, se nuk jemi entuziastë për afatin e shkurtër, sepse kjo është e vështirë për njerëzit dhe është e lodhshme. Shpresojmë të ketë një shtyerje. Kjo ishte pjesë e bisedës tonë, nuk mund të them nëse do të ndodh apo jo, sepse më pyetet se çfarë do të ndodh, por është vendim i qeverisë së Kosovës”, tha ai.
Ndërkohë vlen të theksohet se vetëm një numër i vogël i serbëve i kanë kthyer targat në RKS dhe se afati ligjor për ta bërë këtë, nuk po i bind serbët.