Hovenier “i mëshon” Kurtit: Nëse Qeveria do të bashkëpunonte me SHBA-të, Kosova do të ishte e anëtarësuar në Këshillin e Evropës

Hovenier “i mëshon” Kurtit: Nëse Qeveria do të bashkëpunonte me SHBA-të, Kosova do të ishte e anëtarësuar në Këshillin e Evropës

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se, po të kishte Qeveria më shumë bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Kosova do të ishte tashmë e anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Për më tepër, sipas tij, Kosova do të kishte një rrugë më të qartë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Mendoj se mund të kishit një trajktore më të qartë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Është një rrugë e vështirë dhe e gjatë, mendoj se do të ishim në një vend më të mirë për të avokuar më fuqishëm për afrimin e Kosovës në marrëdhëniet e saj me NATO-n. Këto janë dy gjerat që po i them hapur. Mendoj se Kosova do të ishte anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë ai gjatë intervistës në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës.

Ai është pyetur edhe për thënien që e përdori, “mos urinoni në pragun e derës së klubit që dëshironi t’i bashkoheni”, për të cilën tha se mesazhi ishte mjaft i qartë.

“Epo në atë fjalim të veçantë, po citoja gjyshin tim, të cilit i pëlqenin thëniet popullore dhe pika ime ishte vërtetë e drejtpërdrejt: Nëse doni të jeni pjesë e një komuniteti si Bashkimi Evropian, si NATO, dëshironi të jeni tërheqës për ta, dëshironi të bëni gjithçka që është e mundur për t’iu përgjigjur shqetësimeve të tyre dhe kjo më kthen te konkluzionet e Këshillit Evropian, të cilat ishin shumë të fuqishme, që flasin për gjërat që Evropa do të shpresonte të shihte Kosovën përpara. Ne absolutisht që dëshirojmë që Qeveria e Kosovës të bashkëpunojë me ne më shumë”.

Hovenier, potencoi se pengesat e kanë bërë më të vështirë bashkëpunimin mes Kosovës dhe SHBA-ve.

“Përkushtimi i popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj popullit të Kosovës është i palëkundur. Është absolutisht e vërtetë që nganjëherë kemi pasur disa dallime serioze me Qeverinë e Kosovës, dhe mendoj se kjo ka pasur ndikim. Por, kjo nuk është çështje e SHBA-ve dhe e Kosovës, kjo është një çështje e miqve të Kosovës”.

“Kur ka pengesa në bashkëpunim është më e vështirë për ne që të jemi aq efektiv sa do të donim për ta ndihmuar Kosovën ta çojë përpara vizionin e tyre”.

Shpërndaje në: