Hoti: S’ka diplomaci fare kjo qeveri
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, vlerëson se ka përkeqësim të marrëdhënieve të Kosovës me aleatët kryesor. Sipas tij, e gjithë kjo situatë vjen pas qeverisjes jo të mirë të kësaj qeverie.
Në një intervistë për kp ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti derisa ka folur edhe çështje ekonomike në vend, shprehu shqetësimin e tij lidhur me menaxhimin e Trustit Pensional dhe performancën e ndërmarrjeve publike.
Ai ka theksuar rëndësinë për përfaqësimin e punëtorëve në Bordin e Trustit, duke vënë në dukje se ky bord ka qenë i kompletuar për gati një vit, çka ka ndikuar negativisht në menaxhimin e fondeve të kursimeve të punëtorëve. Përveç kësaj, ai kritikoi përkeqësimin e performancës së ndërmarrjeve publike gjatë mandatit të qeverisë aktuale dhe rritjen e subvencioneve dhe kredive nga buxheti i shtetit për këto ndërmarrje.
Sipas Hotit, lidhja e vendit me aleatët ka qenë shumë më e mirë në kohën e presidentit, Rugova.
“Problemin me këtë qeveri e kemi shumë më fondamental, të mungesës totale të diplomacisë politike, para se gjithash. S’ka diplomaci fare kjo qeveri, rrjeti i ambasadave që është themeluar në qeveritë paraprake është copë-copë, duke i lënë ambasadat pa stafin e nevojshëm, duke dërguar ambasadorë jo kompetentë, duke lënë ushtrues të ngarkuar me punë nëpër ambasada për vite të tëra, që është një lloj fryrje ndaj vendit mikpritës.
Diplomaci sot Kosova nuk ka, në katër vite qeverisje nuk kemi asnjë fakt të prekshëm në aspektin diplomatik. Bile e kundërta ka ndodhë, është përkeqësim enorm i marrëdhënieve të Kosovës me aleatët kryesor. Marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-të edhe gjatë viteve të 90-ta kur shtetin tonë të shpallur atëherë nuk na ka njohur bota përveç Shqipërisë, kanë qenë më të mira atëherë. Pra, presidenti i Kosovës, Rugova dhe zyrtarët e tjerë në institucionet amerikane, kanë pas qasje më të mirë atëherë se që kemi tash. Është viti katërt që gati po përmbyllet mandati pa asnjë takim signifikant i nivelit të duhur të kryeministrit me zyrtarë të SHBA-ve”, thekson Hoti.