Hoti: Kjo formë e qeverisjes duhet të ndërpritet me votë demokratike
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, së bashku me Kryetarin e degës Burim Krasniqi dhe kandidatin për deputet Enis M. Durguti, zhvilluan takime me strukturat e nëndegëve të bashkësive lokale në Qifllak dhe Kramovik.
Gjatë këtyre bisedave, Hoti theksoi sfidat e mëdha me të cilat përballen familjet në këtë rajon.
Ai nënvizoi se përmbyllja e këtij mandati qeverisës i gjen qytetarët në një situatë të vështirë, përballë çmimeve të larta, pagave të ulëta dhe mungesës së investimeve nga Qeveria, si dhe një ikje masive të të rinjve nga vendi.
Hoti përmendi tri shqetësimet kryesore që kanë shprehur qytetarët:
Çmimet e larta në artikujt e përditshëm,
Rritja e tatimit në pronë,
Rritja e çmimit të energjisë.
Ai theksoi se ndonëse rritja e çmimeve është ndikuar nga kriza globale, rritja e tatimit në pronë dhe e çmimit të energjisë është bërë me vendime të qeverisë dhe institucioneve vartëse.
Hoti apeloi për një ndryshim të kësaj forme të qeverisjes, duke ftuar qytetarët të shprehin vullnetin e tyre përmes votës në zgjedhjet e ardhshme.