Hoti: Ka përkeqësim enorm të buxhetit, nuk e di ku po i marrin atë shifra të rritjes së pagave
Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka thënë se investimet kapitale në tri vitet e fundit të kësaj qeverie janë në nivelin më të ulët historikisht.
Ai ka theksuar për Ekonomia Online se qeveria ka dyfishuar subvencionet ndërsa ka përgjysmuar investimet kapitale në buxhetin total, për të cilin tha se ka shkaktuar një përkeqësim të dukshëm të situatës buxhetore në vend.
“Nëse e shihni investimet kapitale në tri vitet e fundit dhe gjatë këtij viti investimet kapitale nivelin më të ulët historikisht. Ajo që mua më shqetëson edhe si deputet edhe si ekonomistë se si reflektohet ndikimi i shtetit përmes buxhetit në ekonomi, është përkeqësimi i strukturës së buxhetit, sepse pjesëmarrje e investimeve kapitale në buxhetin total ka rënë dukshëm, gati është përgjysmuar krahasuar me qeveritë e kaluara. Ajo që ka ndodhur me këtë buxhet është ndërrim komplet i raporteve, gati është dyfishuar pjesëmarrja e subvencioneve në buxhetin total dhe është përgjysmuar pjesëmarrja e investimeve në buxhetin total. Pra është përkeqësim enorm i buxhetit të shtetit”, ka thënë ai.
Hoti, i cili aktualisht është deputet i LDK-së, ka thënë se nuk janë të vërteta deklarata e qeveritarëve se ka pasur rritje të pagave, ai ka theksuar se po të pyeten 85 mijë punëtor që janë në sektorin publik do të thonë që vlera reale e pagave që marrin është dukshëm më e vogël.
Ai ka shtuar se rritja e inflacionit gjatë vitin 2022-2023 nuk është reflektuar në pagat e të punësuarve.