Hoti akuzon për dështime Qeverinë Kurti: Është mandati më i dobët ndonjëherë qeverisës

Hoti akuzon për dështime Qeverinë Kurti: Është mandati më i dobët ndonjëherë qeverisës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar qeverinë aktuale, duke thënë se ka dështuar në implementimin e projekteve të mëdha ekonomike dhe mos përmbushjen e angazhimeve në arsim dhe shëndetësi.

Në një intervistë për KosovaPress, Hoti thotë se veprimet e Qeverisë Kurti kanë qenë të pakta dhe larg çdo standardi për përmirësimin e kushteve në sektorët kyç. Ai po ashtu thotë se as projektet që janë lënë në gjysmë nga qeveritë kaluara nuk kanë shkuar përpara.

“Është mandati më i dobët ndonjëherë qeverisës në vend dhe këto nuk janë vlerësime të opozitës, por mund të verifikohen në terren në secilin prej sektorëve një nga një, sheh se nuk janë realizuar as premtimet jo se jo, por nuk janë ndërmarrë edhe veprimet karshi situatave të krijuara që ka pas nevojë për ndërhyrje të qeverisë.

Tek premtimet, në aspektin ekonomik gati që nuk ka asnjë projekt të madh kapital që ndryshon situatën ekonomike në vend. As projekte që janë lënë në gjysmë nga qeveritë e kaluara nuk kanë shkuar përpara.

Premtimet në arsim e shëndetësi kanë qenë mashtrime të qytetarëve dhe të sektorëve të caktuar. Të shohësh tash se kryeministri që shkon dhe promovon salla të caktuara në kuadër të shërbimit spitalor të Kosovës, ndërkohë që katër vjet nuk bisedon për sigurime shëndetësore, ose për të rregulluar njëherë e përgjithmonë furnizimin me barna nga lista esenciale, ose ofrimin e disa shërbimeve më të specializuara brenda QKUK-së, në mënyrë që njerëzit të mos kenë nevojë të dalin jashtë. Në fushën e arsimit është e njëjta gjë”, thotë Hoti.

Hoti tha se të ardhurat për kokë banori kanë rënë rreth 67 për qind krahasuar me vitet e kaluara kur kanë qenë rreth 74 për qind.

“Në vitet e kaluara së paku kemi qenë jo vendi fundit për nga varfëria në Evropë, sigurisht kemi qenë në pjesën e poshtme të renditjes për shkak trashëgimisë që kemi si ekonomi. Por, ajo që ka ndodhë në tre vitet e fundit në veçanti në bazë të dhënave të Bankës Botërore tregon që nuk kemi pas një konvergjencë ekonomike të Kosovës sa i përket të ardhurave për kokë banori me mesataren rajonale te të ardhurave për kokë banori me mesataren e të ardhurave për kokë banori me vendet e BE-së, por kemi pas një divergjencë, ka shkuar ende më poshtë mesatarja e të ardhurave për kokë banori në Kosovë krahasuar me regjionin.

Ndërkohë që vendet tjera në regjion, në veçanti Shqipëria, por edhe Mali i Zi, vendet e tjera janë duke lëvizur shumë më shpejtë drejt mesatares së BE-së, ne jemi duke shkuar poshtë, edhe ndaj mesatares së BE-së edhe ndaj mesatares së vendeve të Ballkanit. Dikur ka qenë rreth 74 për qind të ardhurat për kokë banori në vend si mesatare e vendeve të Ballkanit Perëndimor, tani kemi rënë rreth 67 për qind”, tha Hoti.

Ndërsa sa i përket ligjit të punës, Hoti gjithashtu kritikon mungesën e dialogut social dhe thotë se kjo barrë financiare duhet t’i ngarkohet buxhetit të shtetit.

“Përvojat ndërkombëtare janë të tilla që kjo barrë financiare duhet të ngarkohet shoqërisë, që është buxheti i shtetit, por, edhe në këtë pjesë po bëhen katër vjet që nuk kemi një dialog social, ku ulen odat ekonomike si përfaqësues të bizneseve, ku ulen sindikatat si përfaqësues të punëtorëve dhe qeveria, në mënyrë që të dialogohen këto çështje dhe të gjenden zgjidhje”, tha Hoti.

Hoti shprehet se Kosova është shndërruar në një vend me probleme të sigurisë, duke përmendur sanksionet e BE-së dhe mungesën e investitorëve të jashtëm.

“Nuk është vetëm vlera 300 milionë, se po të ishte vetëm ajo, do të kishim mundësi disi t’i zëvendësojmë ato përmes buxhetit dhe do të ishin mbuluar. Janë efektet edhe ekonomike dhe politike që shkaktojnë sanksionet. Jemi vendi i vetëm në Evropë që jemi nën sanksione nga BE për shkak të veprimeve të gabuara të vazhdueshme të kësaj qeverie. Imazhin që këto sanksione çojnë te partnerët tanë, tek investitorët e jashtëm, është shumë negativ.

Po bëhen katër vjet që pothuajse nuk kemi asnjë investitor të madh serioz të jashtëm që bënë investime në Kosovë. Kosova tani është shndërruar prej një vendi që ka pasur sfida të zhvillimit, të integrimit euroatlantik, sfida të reformave në arsim, drejtësi, shëndetësi, pra, jemi parë nga aleatet tanë, nga BE si një vend që ka nevojë për mbështetje për të reformuar sektorët e caktuar, për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik, tani jemi kthyer në një vend që shihemi me probleme të sigurisë, dhe ky është sinjali më i keq që jepet në arenën ndërkombëtare në fushën e ekonomisë”, përfundon Hoti. /KP/

Shpërndaje në: