Honda zbulon detaje të reja të modelit të saj të parë elektrik
Prodhuesi japonez do të ofrojë modelin e saj të parë elektrik për konsumatorët në Evropë deri në fund të vitit, kryesisht për ngasje në zonat urbane.
Prototipi Honda E u paraqit në panairin e Gjenevës dhe versioni i prodhimit nuk do të jetë shumë i ndryshëm nga ky automjet.
Honda ka njoftuar se makina që do të shfaqet më vonë këtë vit në shitje do të përdorë bateri litium-jon me kapacitet prej 35.5 kWh.
Bateritë ndodhen nën dysheme të makinës, midis rrotave të përparme dhe të pasme, dhe inxhinierët e Hondës arritën shpërndarjen ideale masive në boshtet, 50:50, transmeton KosovaPress.
Tani për tani, fuqia e elektromotorit nuk dihet, por dihet se do të transferohet në rrotat e pasme.
Honda njoftoi se bateritë mund të ngarkohet duke përdorur mbushësin Tipi 2 AC, si dhe ngarkuesin e shpejtë “CCS2 DC”, në sajë të të cilit arrin deri në 80% kapacitet brenda gjysmë ore.
Bateritë sigurojnë një autonomi prej rreth 200 km, e cila është e mjaftueshme për përdorim të përditshëm në zonat urbane, por edhe për ekskursione më të shkurtra jashtë qytetit, thonë prodhuesit japonez.
Honda ende nuk e zbulon datën e lansimit të kësaj makine në tregun evropian, dhe sipas kompanisë, 31.000 blerës të interesuar në Evropë janë regjistruar tashmë në librin e rezervimit.