Homoseksualët nuk janë të sëmurë, janë të shtypur e të frikësuar

Shpend Gudaqi Op-Ed

Ndër shumë çështje të rëndësishme, në shoqërinë tonë konservatore, të drejtat e komunitetit LGBTI mbeten ende shqetësim aktual për shkak të mospranimit shoqëror. Përderisa në shoqëritë e emancipuara dhe të përparuara si me ekonomi, shkencë e edukim, kjo prirje seksuale shihet si diçka normale, në shoqërinë tonë pa asnjë shkencëtar e me sistem të rrënuar edukimi, është krijuar një konsensus mbarëpopullor se homoseksualizmi është sëmundje.

Ndonëse mund të kem pasur edhe unë vet paragjykime ndaj këtij komuniteti në të kaluarën, edhe për këtë çështje kam vendosur t’i besoj shkencës në shpjegimin aktual, para se t’i besoj bindjeve që bazament e kanë kulturën primitive të të menduarit. Ka studime prej organizatave e institucioneve kredibile që kryejnë studime serioze dhe dalin me rezultate të kundërta, mirëpo mbi homoseksualizmin pajtimi i komunitetit të shkencëtarëve pothuajse është arritur në tërësi.

Në ditët e sotme, megjithëse është ende e padefinuar arsyeja që e përcakton përfundimisht orientimin seksual të një personi, teoritizohet se një bashkëveprim kompleks ndërmjet ndikimeve rrethanore, gjenetike e hormonale mund ta sjellin një rezultat të seksualitetit të një individi. Deri sot, shkencëtarët nuk kanë gjetur asnjë dëshmi substanciale që mund ta ndërlidhin rolin prindëror apo eksperiencat e hershme fëmijërore me orientimin seksual të njerëzve. Përderisa ka prej tyre që besojnë se aktiviteti homoseksual është jonatyral, kërkimet shkencore thonë se homoseksualizmi është variacion normal dhe natyral, dhe se nuk është pasojë e ndonjë çregullimi psikologjik. M’u për këtë arsye, më 17 maj 1990, Organizata Botërore e Shëndetësisë homoseksualizmin e kishte hequr nga Klasifikimi Ndërkombëtar i Sëmundjeve.

Përkundër argumenteve të bollshme që shkenca sot i ofron mbi të drejtën e homoseksualëve, si çdo vit tjetër, edhe dje, pamë një mal ofendimesh e paragjykimesh ndaj këtij komuniteti, pas mbajtjes se Paradës së Krenarisë në sheshin qendror të Prishtinës. Homofobia e shprehur në këtë masë në shoqërinë tonë është terrorizuese ndaj këtij komuniteti, duke i dekurajuar edhe më shumë pjesëtarët e tij që të ndjehen të lirë për ta përjetuar veten ashtu si janë. Me siguri ka aq shumë pjesëtarë të këtij komuniteti që s’e kanë guximin që orientimin seksual t’ia pranojnë edhe vetes. Është e kuptueshme që shkak të një vetëdijesimi më të lartë, në Prishtinën si kryeqytet, ka më shumë hapësirë që ata të shprehen e organizohen, por mendojeni se si është të jesh pjesëtar i LGBTI në qytetet e fshatrat më të vogla e më të izoluara të Kosovës. Përfundimi, shpesh, mund të jetë tragjik.

Është e vërtetë se janë shënuar hapa pozitivë mbi sensibilizimin e njerëzve për ta pranuar të drejtën LGBTI, por rezultatet janë vetëm simbolike dhe shumë pak përmbajtjesore. Mbështetja mbetet e vogël dhe shpesh e pavërtetë. Krerët politike e institucionalë hezitojnë ta mbështesin hapur përpjekjen e homoseksualëve. Edhe kur e bëjnë, e bëjnë pak dhe tinëz, duke simuluar përpara ambasadave e organizatave ndërkombëtare, sa për t’ia dhënë një shkëlqim imazhit të tyre para faktorëve ndërkombëtarë. Dhe për arsye se nuk duan të përplasen me masat homofobe popullore. Pra kalkulojnë në dobi të vetes së tyre, siç bëjnë me çdo gjë tjetër.

Veç organizatave të mbështetura financiarisht e politikisht nga ndërkombëtarët, mediat janë një ndër aleatët kryesorë të komunitetit LBTI në Kosovë. Përgjithësisht, gazetarët sot janë më të vetëdijshëm për komunitetin LGBTI dhe si pasojë ka edhe raportime shumë më korrekte seç kishte më parë. Dhënia e hapësirës së nevojshme dhe raportimi korrekt e ka bërë të veten sa i përket informimit, por fillon të shqetësohesh sapo hyn në hapësirën e komenteve të mediave elektronike. Homofobi e shprehur hapur dhe në mënyrë agresive, e shoqëruar me nxitje për dhunë e për urrejtje.

Kuptohet, homofobia është rezultat i një shumësie faktorësh. Disa prej atyre që shajnë e terrorizojnë mund të mos jenë homofobë fare, por përfshihen pavetëdijshëm nga energjia masive e ofendimive dhe talljeve me këtë komunitet. Megjithatë, ka disa studime shkencore që e pohojnë mundësinë që nën lëkurën e një homofobi të fshihet një homoseksual i shtypur, kështu që në mesin e atyre superburrave, mos u habitni nëse e gjejmë një homoseksual. Kjo gjendje më saktësisht njihet si homofobi internale, kur homoseksualët dhe lesbiket u besojnë si të vërteta gënjeshtrave, stereotipeve dhe miteve për homoseksualizmin. Homofobia internale sot trajtohet si çrregullim mendor dhe ka mundësi të mëdha që të kemi homoseksualë e lesbike që e terrorizojnë komunitetin ku përkasin, prandaj edhe kundërvënia ndaj sulmeve të tyre duhet të jetë e kujdesshme.

Fatkeqësisht, në një shoqëri ku glorifikohet dhuna dhe shihet me urrejtje diversiteti seksual, minoriteti që guxon ti cenojë normat e seksualitetit shërben si justifikim ideal i meshkujve për ta dëshmuar maskulinitetin e tyre, për të marrë aprovimin e shoqërisë dhe, pse jo, edhe për ta thyer monotoninë e përditshmërisë. Agresiviteti rritet edhe më shumë kur heteroseksualiteti bëhet njësi matëse e maskulinitetit, sepse homoseksualët e lesbiket marrinë hapësirë më të madhe mediale dhe dalin gjithnjë e më hapur në shoqëri. E gjitha kjo padyshim që lidhet edhe me zhvillimin e ulët ekonomik në vend. Komunitetet e margjinalizuara nga ekonomia dhe shoqëria, homoseksualët i shohin sot si një kundërkomunitet që privilegjohet, për shkak të hapësirës së tyre pubblike e mediale, si dhe financimit të bollshëm nga organizatat e institucionet që e përkrahin komunitetin LGBTI.

Shoqëria jonë përballet me padrejtësi të shumëfishta, kryesisht për fajin e eksponentëve politikë. Prandaj, do të ishte e panevojshme dhe jostrategjike, që ne të fillojmë t’ia cenojmë të drejtat edhe njëri-tjetrit. Në përpjekjet për të drejta të barabarta njerëzore, për të gjitha komunitetet, do të duhej të ishim bashkë.

Shpërndaje në: