Homo Faber
Shkruan: Fatlum SADIKU
Urrej përmallimet e muzgëta të një dite pune
shkulmë të një butaforie burgosëse
ngutitë e vonimet e përbashkëta të shpirtërave të sapoçliruar
kapur nga rrjeta zhgënjimesh, ndrojtjesh e e melankolishë frikamane
të hershmit e hareshëm, të mekurit jetëpakët
Dhe oh
ajo përbashkësi mashtruese e pështirosëse
ajo afri e mbiqujtuar korrektësi e bashkëpunim
ajo lakmi e quajtur respekt
derdhur në qeshje të ushtruara e kakarisje klishesh
kënaqjesh pa kënaqësi
Kumt i kthimit në selinë e çpalljeve të vetëmashtrimeve ditore
kumt i përudhëzimit në venitjen e pavërejtur
në përbashkësinë e vërtetë
Por
Mbamë ti moj modernë rrenacake
Mbamë në kristianen tënde të mpakur
S’ta desha shpëtimin e përftuar
S’ta dua as shëlbesën