“Home sweet home” rrëmben edhe dy çmime
Filmi i regjisorit Faton Bajraktari dhe producentit Trim Musliu, është shpallur filmi më i mirë në festivalin e filmit Albanian Film Week.
Juria në përbërje të Amina Zhaman, Fatrin Krajk, Jamal Hodge, Diar Xani dhe Lulzim Guhelli, ndau gjashtë çmimet e edicionit të gjashtë të festivalit Albanian Film Week në Nju Jork.
Mbrëmë ishte nata e fundit e festivalit Albanian Film Week, i cili ka nis më 26 maj dhe përfundoi mbrëmë me ndarjen e çmimeve të filmave më të mirë të festivalit, që u shfaqën në Nju Jork, aty edhe ku mbahet ky festival.
Filmi i metrazhit të gjatë “Home sweet home”, me regji të Faton Bajraktarit është shpërblyer me tri çmime duke rrëmbyer kështu edhe çmimin kryesor siç është “Filmi më i mirë”. Njëkohësisht ky film është fitues edhe i çmimeve të dy aktorëve më të mirë siç janë Donat Qosja “Aktori më i mirë” dhe Arta Muqaj “Aktorja më e mirë”.
Bajraktari për KosvaPress ka treguar se ditë më parë në South East European Film Festival i mbajtur në Berlin, është shpallur filmi më i mirë, ndërsa aktori Donat Qosja, ka rrëmbyer çmimin e aktorit më të mirë.