Holland: Kosova dhe Serbia të përmbushin obligimet nga dialogu, përfshirë Asociacionin
Ambasadori i Britanisë së Madhe në OSBE, Neil Holland, përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalimit të importit të mallrave serbe dhe i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe të përmbushin obligimet e tyre, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në seancën e Këshillit të Përhershëm të OSBE në Vjenë ku u dorëzua Raporti i Misionit të OSBE në Kosovë, Holland tha se vlerëson punën e Misionit për monitorimin e situatës dhe paralajmërimin e hershëm në dritën e tensioneve të vazhdueshme në veri të Kosovës.
“Mbretëria e Bashkuar ndan vlerësimin e raportit për mungesën shqetësuese të progresit drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që vazhdon të ketë implikime negative për jetën e përditshme të qytetarëve të zakonshëm dhe për stabilitetin më të gjerë në Ballkanin Perëndimor”, tha Holland.
Në këtë kontekst, ai përshëndeti vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e embargos ndaj mallrave serbe, si një hap pozitiv drejt mundësimit të tregtisë së lirë në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe t’i përmbushin obligimet e tyre, duke përfshirë themelimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe”, tha ambasadori, transmeton KO.
Ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të inkurajojë Kosovën që të sigurojë që komunitetet joshumicë të mund të luajnë një rol të plotë dhe të barabartë në të ardhmen.
“Ne i kemi thënë qartë të gjithë bashkëbiseduesve se të gjitha aktivitetet që ndikojnë në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe komuniteteve tjera joshumicë kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e Kosovës dhe partnerët e sigurisë, në mënyrë që të shmanget nxitja e tensioneve dhe vënia e më të cenuarve në pozitë të pafavorshme. Të gjitha komunitetet joshumicë duhet të jenë të lira të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike dhe të vazhdojnë të integrohen në shoqërinë kosovare. Ne vazhdojmë t’i inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në procesin demokratik, të marrin role në shërbimin publik dhe t’i shërbejnë komuniteteve të tyre.
Ai përsëriti se është e rëndësishme të sigurohet drejtësia dhe përgjegjësia për të gjitha aktet e dhunës.
“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht në përpjekjet për të marrë përgjegjësinë për sulmin tronditës në Banjskë në shtator 2023 dhe mbi trupat e KFOR-it në maj të atij viti, dhe të veprojë për të shtypur kontrabandën ndërkufitare të armëve”, shtoi ambasadori.
Ai përshëndeti punën e misionit OSBE gjatë gjashtë muajve të fundit në tri shtylla kryesore, duke shtuar se vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të Misionit për institucionet qeveritare për të drejtat e njeriut dhe marrëdhëniet me komunitetet, duke përfshirë adresimin e shqetësimeve në lidhje me të drejtat pronësore të komuniteteve joshumicë.
“Ne mirëpresim vazhdimin e punës së Misionit për zgjidhjen e sfidave në lidhje me të drejtën e lirisë së besimit dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Gjithashtu vlerësojmë mbështetjen e Misionit për KQZ-në në modernizimin e procesit zgjedhor në Kosovë, i cili do të jetë veçanërisht i rëndësishëm, përpara zgjedhjeve parlamentare në shkurt 2025”, tha Holland.
Ai tha se Mbretëria e Bashkuar mbetet një mbështetëse e fuqishme e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe e përkushtuar për të mbështetur një demokraci gjithëpërfshirëse, të larmishme dhe multietnike në Kosovë dhe pjesëmarrjen e saj të plotë në sistemin ndërkombëtar.