“Hitleri do ta kishte zili”- Erdogani tregohet i ashpër me Netanyahun
Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan tha të dielën se Adolf Hitleri do të ishte “xheloz” ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu për ato që ai i quajti “metodat gjenocidale” të Izraelit në Rripin e Gazës.
Erdogan akuzoi Izraelin se ka shënjestruar civilët, spitalet dhe autokolonat e ndihmave, duke i vrarë qëllimisht palestinezët në enklavë dhe duke e kthyer Gazën në një “burg në ajër të hapur”, në një intervistë (greke) me të përditshmen greke Kathimerini, përcjell Gazeta Insajderi.
“Netanyahu ka arritur një nivel që do ta bënte Hitlerin xheloz me metodat e tij gjenocidale”, tha ai.
Nuk është hera e parë që Erdogan e krahason Netanyahun me liderin nazist. Në dhjetor ai tha se kryeministri izraelit ishte më i keq se Hitleri, duke tërhequr kundërakuza se ai vetë ishte fajtor për gjenocid. Në mars, ai pretendoi se “Netanyahu dhe administrata e tij, me krimet e tyre kundër njerëzimit në Gaza, po i shkruajnë emrat e tyre pranë Hitlerit, Musolinit dhe Stalinit, si nazistët e ditëve të sotit”.
Erdogan dhe Netanyahu kanë një histori të gjatë sulmesh publike ndaj njëri-tjetrit. Sulmet ishin ndalur ndërsa lidhjet e Jeruzalemit dhe Ankarasë u afruan, por me sa duket raportet janë prishur për shkak të luftës Izrael-Hamas.