Historitë e dhimbjes dhe drejtësisë, nesër mbrëma në premierën nga Baleti i Kosovës
Albertina Haxhiaj
Ka dyzet ditë që kanë filluar përgatitjet nga Trupa e Baletit për të sjellë në jetë shfaqjen “Drejtësi Tranzicionale”, koreografia e të cilës është bazuar në ngjarje të vërtetë Koreografja Christie Coleman përgjatë një viti ka vizituar komunitete të ndryshme në mbarë botën duke përfshirë Kolumbinë, Guatemalën, Liberinë, Sierra Leonen, Somalinë dhe vende të tjera që të sjellë historitë e njerëzve nga këto vende përmes vallëzimit, çdo herë duke theksuar pyetjen se a kemi forcë për tu shëruar krejtësisht nga dhuna të cilën mund ta përjetojmë.
Duke dërguar kështu audiencën në një udhëtim të jetës së disa njerëzve të ndryshëm e duke vënë në pah marrëdhëniet e tyre të ndërlikuara, tradhtitë, traumat, frikën, dëshirat, momentin kur njerëzit do të arrijnë që të fuqizohen dhe më në fund të falin, më pas gjithçka është mishëruar në një ngjarje. Koreografja Christie Coleman tregoi se shumicën e kohës para premierave ajo ka dyshime në lidhje me punën e bërë mirëpo kësaj radhe ajo ndjehet shumë krenare.
“Diçka që e kam shijuar shumë ka qenë mundësia që të njoh çdo njërin nga balerinët të cilët kanë shumë për të thënë dhe për të shfaqur. Mendoj se kemi realizuar diçka shumë të bukur dhe jam krenare me këtë pjesë. Krijimi i kësaj pjese ka qenë shumë interesante dhe emocionuese sepse bazohet në histori të vërteta të njerëzve, çka e bënë më shumë të ndjeshme dhe të këndshme jo vetëm për mua por edhe për balerinët”, u shpreh ajo, duke treguar se jetët e njerëzve të ndryshëm do të bëhen së bashku.
Shfaqja do të përmbajë historinë e një vajze 8 vjeçare e cila është e pafajshme dhe e lumtur mirëpo jeta e saj ndryshon kur ajo zbulon një varrezë masive. Pastaj historia e një vajze e cila e ka humbur fëmijën e saj, fakt të cilin ajo nuk e pranon, si dhe “Drejtësia” e cila kujdeset për njerëzit dhe mundohet që ti ndihmojë. Historinë e një vajze e cila nuk lejohet që të kthehet në shtëpi nga motra e saj do ta sjell balerina Teuta Krasniqi. Ajo është vetëm një nga balerinët që do të portretizojë përmes vallëzimit jetën e një personi që asnjëherë nuk e ka takuar.
“Rolin që e kam në këtë shfaqje është roli i një viktime, pra një vajzë që kidnapohet nga rebelët dhe më pas familja e saj nuk e pranojnë në mesin e tyre pasi që ata mendojnë që ajo ju përket rebelëve mirëpo në fund përsëri kthehet tek familja e saj dhe gjithçka përfundon në paqe”, sqaroi Krasniqi.
Shfaqja do të jetë një kontrast në mes të së bukurës, të pafajshmes, të zymtës dhe të shëmtuarës, fundi i së cilës vjen me shumë lëvizje, duke treguar një komunitet të bashkuar që ofrojnë përkrahje dhe që ndihmojnë njëri-tjetrin. Për drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, po ky komunitet është shumë i rëndësishëm pasi mundëson edhe përfshirjen e gjithë Trupës së Baletit.
“Gjithë trupa është e angazhuar, është një balet modern, që ka si temë jetën e disa njerëzve, gjithë kjo bazuar në histori të vërteta të cilat i ka dëgjuar dhe i ka parë koreografja nëpër qendra të ndryshme”, tregoi ai duke shtuar se ideja e bashkëpunimit ka filluar me interesimin që ka pasur koreografja e cila sipas tij gjatë kësaj kohe ka punuar shumë duke realizuar një shfaqje mjaft të arrirë.
Premiera e shfaqjes “Drejtësi Tranzicionale”, do të jetë nesër mbrëma, duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
/ KultPlus.com