Hiqen tarifat roaming për vendet anëtare të BE

Hiqen tarifat roaming për vendet anëtare të BE

Pas një dekade debat, Komisioni Europian vendosi të çlirojë nga tarifat romaing të gjithë shfrytëzuesit e telefonisë celulare në Bashkimin Europian.

Duke nisur që nesër, 15 qershor, të gjithë operatorët e rrjeteve të telefonisë celulare në Bashkimin Europian do të ndalohen të ngarkojnë tarifa shtesë për thirrjet jashtë vendit, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme nga BE për të krijuar një treg të vetëm dixhital në vendet anëtare të BE.

Rregullat, të cilat kanë qëllim përtëritjen e  tregut unik të BE-së për tregti pa tarifa, do t’u lejojnë klientëve të ndihen si në shtëpinë e tyre edhe kur janë jashtë vendit, por gjithmonë brenda hapësirës së vendeve të anëtarësuara në union, dhe gjithashtu parandalojnë kostot e fshehura shtesë kur klientët kthehen në shtëpi nga pushimet.

Megjithatë, organizata jo fitimprurëse për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, consumer watchdog , ka paralajmëruar konsumatorët të qëndrojnë vigjilentë kur të përdorin celularët e tyre me qëllim shmangien e ndonjë surprize.

Tarifat e roamingut janë kosto shtesë të ngarkuara për bërjen e thirrjeve, dërgimin e teksteve dhe përdorimin e të dhënave të internetit jashtë shtetit, transmeton oranews.

Këto tarifa zbatohen sapo një telefon celular lidhet me një rrjet të huaj.

Tarifat janë zvogëluar gradualisht gjatë viteve të fundit dhe BE pretendon se i ka ulur ato me 91 për qind që nga viti 2007.

Vendimi i Komisionit Europian hyn në fuqi vetëm tek 28 vendet anëtare të Bashkimit Euriopian, përfshirë Britaninë e Madhe për momentin sa kohë Brexit nuk është finalizuar.

Shpërndaje në: