Hillit i përfundon mandati si ambasador i SHBA-së në Serbi
Diplomati amerikan Christopher Hill po përfundon një tjetër mision të tij në Ballkan – këtë herë mandati i tij si ambasador në Beograd po përfundon. Derisa mbresat nga takimet e lamtumirës me zyrtarë të lartë të Serbisë dhe mandati i diplomatit me përvojë po përfundon, tashmë po diskutohet se kush do ta zërë vendin e tij.
Christopher Hill i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fund të marsit 2022 dhe në këtë mënyrë mori detyrën e ambasadorit. Kjo ishte periudha kur bota ishte ende në shok për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, pra kur filluan të ndodhin ndryshime të mëdha në planin gjeopolitik.
Në dritën e ngjarjeve të mëdha botërore, presioni ndaj vendeve për t’u rreshtuar në njërën anë ose në tjetrën u rrit, por gjithashtu çështjet kyçe në Ballkan mbetën të pazgjidhura, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ishte i bllokuar. Këto janë rrethanat në të cilat presidenti amerikan Joseph Biden “tërhoqi” Christopher Hillin nga pensionimi.
Lajmi për emërimin e tij bëri jehonë në rajon, duke qenë se ai ishte figurë e njohur këtu sepse ai vetë kishte marrë pjesë në misione të ndryshme amerikane në Ballkan. Nuk ishte e nevojshme të kërkohej shumë nga biografia e tij siç bëhet zakonisht me ambasadorët e rinj.
Christopher Hill ishte ambasador në Irak, Kore, Poloni dhe Shkup, por ai njihet veçanërisht si anëtar i ekipit negociator të SHBA-së në Dejton. Po ashtu ai kishte rol të rëndësishëm si i dërguar i SHBA-së për Kosovën në përpjekjet diplomatike që përfunduan me negociatat në Rambuje.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pas takimit lamtumirës me Hill, deklaroi se gjatë katër viteve të fundit është takuar shpesh me të dhe se janë diskutuar për të gjitha çështjet.
“Nuk kemi qenë gjithmonë dakord për gjithçka, por kemi pasur një qasje të hapur dhe të sinqertë”, ka shkruar Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.
Christopher Hill këto ditë ka folur për dialogun Kosovë-Serbi, teksa ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka shumicën e fajit që nuk ka pasur progres në dialog.
Ai ka thënë se shpreson të ketë më shumë përpjekje në dialogun e Brukselit.
“Shpresoj për më shumë përpjekje në dialog, veçanërisht në dialogun e Brukselit të udhëhequr nga evropianët. Shumë prej nesh janë të zhgënjyer nga mungesa e progresit, dhe për mendimin tim, shumica e fajit i takon Qeverisë së Kosovës”, ka pohuar ai.