Hill në përfundim të mandatit: Shumë i zhgënjyer me situatën në Kosovë, fajet për dështimin i ka Qeveria atje

Hill në përfundim të mandatit: Shumë i zhgënjyer me situatën në Kosovë, fajet për dështimin i ka Qeveria atje

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill në përfundim të mandatit të tij atje, ka dhënë një intervistë ku mes tjerash, ka folur edhe për marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas “N1”, Hill gjatë kësaj interviste në “RTS” ka fajësuar kryesisht Qeverinë e Kosovës për situatën e krijuar në dialogun mes dy vendeve.

Ai citohet të ketë thënë se është shumë i zhgënjyer me situatën në Kosovë dhe se Qeveria e saj është kryesisht përgjegjëse për mungesën e progresit në dialog.

“Kosova supozohej të bënte disa gjëra, shembull të mbronte njerëzit, duke përfshitë ata që janë serbë. Më duhet të them, jam shumë i zhgënjyer me atë se sa larg kemi ardhur në Kosovë. Është shumë e qartë që është një situatë jo e kënaqëshme” – ka thënë ai.

Hill citohet të ketë shtuar se shpreson që të ketë një “përpjekje më të madhe” në dialog, duke theksuar se Bashkimi Evropian është duke “u munduar shumë” dhe se ka “sfidë të konsiderueshme” përpara.

“Mendoj se shumë prej nesh jemi shumë të zhgënjyer me mungesën e progresit në dialogun e Brukselit. Dhe shumë arsye për këtë dështim, sipas mendimit tim, janë në anën e Qeverisë së Kosovës. Neve na takon që ta mbështesim Evropën dhe të shohim nëse mund të bëhet progrss. Por, nuk jam i kënaqur me atë që është arritur” – ka shtuar ai.

Në fund sa i përket kësaj teme, Hill ka thënë se është optimist që Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të formohet.

Reagimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti u ashpërsuan këtë javë, pas një aksioni për mbylljen e disa zyreve të strukturave paralele në Kosovë.

Në një komunikatë për media, ambasada amerikane tha se “po dobësohet besimi në marrëdhëniet tona” bilaterale.

“Për njëzet e pesë vite kemi investuar me të madhe në Kosovë, duke punuar në partneritet me liderët e saj për të jetësuar interesat tona të përbashkëta afatgjate”, thanë nga Ambasada e ShBA-së.

“Veprimet e vazhdueshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të mbështetura nga Serbia, ndikojnë drejtpërdrejt dhe negativisht tek qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera – dhe minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”.

“Këto çështje duhet të menaxhohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja në mënyrë që të avancojë normalizimin dhe integrimin e Kosovës si një demokraci moderne, multietnike, evropiane dhe të mbrojë mirëqenien e qytetarëve të saj” – thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian theksoi se këto aksione u kryen në kohë fushate zgjedhore, derisa u përmenden edhe sanksionet.

“Veprimet e fundit të Kosovës kundër dhe mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia, të kryera në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, bien ndesh me detyrimet e saj ndaj Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të normalizimit. EULEX-i është duke monitoruar sjelljen e këtyre veprimeve të fundit në përputhje me mandatin e tij…

“…Përderisa, siç thuhet në konkluzionet e Këshillit të vitit 2024 për zgjerimin, BE-ja gradualisht do të heqë masat ndaj Kosovës paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për të de-përshkallëzuar tensionet në veri, këto veprime nuk janë të favorshme për këtë qëllim”– thuhej në një reagim.

Shpërndaje në: