“Hetim intensiv” – Prokuroria jep detaje për gjuajtjen me armë zjarri në Bregun e Diellit
Mbrëmjen e së enjtes në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. H.V po dyshohet se shtiu me armë zjarri në drejtim të disa personave, krejt kjo pas një mosmarrëveshje që kishin pasur një ditë më parë.
Zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj ka konfirmuar se është iniciuar rast ndaj dy personave për dyshimin se kanë kryer disa vepra penale si; “Vrasja e rëndë në tentativë”, “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.
“Ju njoftojmë se në këtë fazë nuk mund të japim shumë detaje për shkak të hetimit intensiv që po bëhet, si dhe verifikimit të informatave dhe provave ndaj këtij rasti, andaj aktualisht, mund t’iu njoftojmë se Prokuroria Themelore e Prishtinës ka iniciuar rast ndaj dy (2) personave, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, sipas KPRK-së”, tha Ulaj për Insajderin.
“Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe sekuestruar 19 gëzhoja si dhe gjatë kontrollit të shtëpisë së personit të dyshuar janë gjetur disa fishekë, jelekë ushtarak dhe substanca narkotike“, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi, mbrëmë deklaroi se të dyshuarit janë recividistë.
Gashi para mediave u shpreh se dy persona janë gjujatur mes vete “pas mosmarrëveshjes që kishin një ditë më përpara”.
Kryeprokurori konfirmoi se nuk ka të lënduar nga arma e zjarrit përveç një “gërvishje” e një kalimtare (fqinjë).
“I kemi të gjitha provat, gjatë bastisjes kemi arritur të kapim dëshmi materiale të rëndësishme si maska dhe narkotikë dhe hetimet janë duke vazhduar”, tha ai para mediave.
Për shkak të dyshimeve se njëri nga të dyshuarit mund të ishte brenda në banesë, kryeprokurori tha se hynë “me forcë brenda”, por nuk hasën në të dyshuarin.