Henry me kritika ndaj VAR-it: Në momentin e shënimit – Mund të festoj apo duhet të pres?
Thierry Henry ka kritikuar VAR-in në prononcimin e fundit. Ish-sulmuesi i famshëm francez, i cili është një nga ndihmësit e Roberto Martinezit te kombëtarja e Belgjikës, e cilëson teknologjinë si “vrastare”, sidomos mënyrën ndryshe të përdorimit në futboll krahasuar me sportet e tjera.
“Në futboll jemi ende prapa, kemi shumë gjëra për të mësuar. Ajo çfarë unë shoh në futbollin amerikan, regbi, kriket apo tenis, përdorimi i VAR-it është i menjëhershëm. Më shqetëson shumë fakti që VAR-i nuk është i shpejtë në futboll.
Një tjetër aspekt që ma shpif, veçanërisht për mua që shënoja gola kur luaja futboll, është se ka raste kur ti nuk e di nëse duhet të festosh golin që shënova apo jo. A duhet të festoj? Mund të festoj apo duhet të pres?
E gjitha kjo vret gëzimin e të luajturit futboll”, deklaroi për Bein Sports 45-vjeçari, i cili kohët e fundit ka blerë dhe disa aksione të klubit italian Como, aty ku është transferuar edhe një emër i madh si Cesc Fabregas.