Hëngrën bakllavën e presidentit: Përjashtohen disa lojtarë nga klubi turk
Skuadra e kategorisë së tretë të Turqisë, Akhisarspor ka bërë një veprim të çuditshëm pasi ka përjashtuar tetë lojtarë, por jo për arsye sportive. “Cumhuriyet” ka shkruar të mërkurën se lojtarët janë përjashtuar nga klubi për shkak se kanë hëngër bakllavë.
Në fakt, ata kanë hëngër bakllavën e ofruar nga kandidati për president i klubit, Mikail Kaplan, Kaplan kishte vizituar qendrën stërvitore të klubit dhe në shenjë mirësjelljeje kishte sjellë bakllavë për lojtarët. Megjithatë, pas vizitës së tij, presidenti aktual, Evren Ozbey ka përjashtuar tetë lojtarët që kanë ngrënë bakllavën që e kishte sjellur kundërkandidati i tij.
Yigit Efe Duztas, Halil Yeral, Yusuf Acer, Gokmen Aydogdu, Mert Efe Çolbeyi, Enes Tayfun, Yavuz Serkan Ozbakan dhe Oguzcan Kesgin, janë lojtarët e përjashtuar. Pas këtij vendimi të kryetarit Ozbey, dorëheqje nga klubi ka dhënë edhe trajneri ndërsa një gjë të tillë ka paralajmëruar edhe drejtori sportiv. Ozbey është rizgjedhur javën e shkuar për mandatin e tretë si president i Akhisarit, por delegatët po kërkojnë zgjedhje të reja për shkak se ai në kryesi të klubit ka angazhuar edhe dy vëllezërit e tij./koha/