Haziri paralajmëron: Do të tronditni, dëshmi të rënda për Mihalin dhe delegatët e Kurtit janë në rrugë
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri thotë se ajo çfarë po publikohet në media, ka qenë paralajmërim i LDK-së qysh më herët.
Haziri thotë se, u vërtetua që përveç shkrimeve që Mihali i bën për deputetër, kjo e fundit vendosë edhe kur “me ua marrë dritën popullit”.
“Muaj më parë kam paralajmëruar se nuk kemi parë asgjë dhe se në vazhdim do të shokohen “besimtarët” politikë të Kurtit.Tash kanë dalë në publik mesazhet dhe urdhërat e koordinuara të shoqes Mihali të VV-së, e cila jo vetëm që po kontrollon përmes shkrimit të fjalimeve të deputetëve të kësaj partie dhe po vendos se kur t’i bëjnë publike ato, por po vendos edhe kur t’ua marrë dritën popullit dhe kur t’ia lërë në terr”, tha Haziri.
Haziri tutje paralajmëron se ata që i besojnë Kurtit verbërisht, nuk kanë parë akoma asgjë, pasi sipas tij, javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë tronditës.
Haziri thotë se, do të dalin fakte që Kurti, të deleguarit e tij, me direktiva të Dejona Mihalit kanë futur duart në “magjen e popullit” dhe në “pasulin e ushtarit”.
“Unë përsëri po e them: “Besimtarët” politikë të Kurtit nuk kanë parë akoma asgjë dhe do të tronditen javët dhe muajt e ardhshëm se kujt i kanë dhënë besim.
Do të zbardhen deri në detaje se si të deleguarit e Kurtit, me direktiva të shoqes rekrutuese e kontrolluese, i futën duart në magjen e popullit dhe në pasulin e ushtarëve, duke ia vjedhur dritën qytetarëve të Republikës së Kosovës. Lavdi ju qoftë marria!”, tha Haziri për GazetaBlic.