Haziri: Kurti ka refuzuar formatin e dialogimit me BE e SHBA, s’i përputhet mendësia politike me atë që kërkon Edi Rama
Nënkryetari i LDK-së dhe një prej figurave politike që ka qenë pjesë e proceseve politike të bërjes së Kosovës shtet, Lutfi Haziri, në një intervistë për Gazetën Express ka folur për propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që Kosova të vazhdojë me implementimin e njëanshëm të obligimeve të marra në Dialog dhe të mos pres fare Serbinë, meqë sipas Ramës kjo do t’i siguronte Kosovës një hap të madh përpara drejt integrimit në BE.
Haziri ka thënë se kjo është hera e parë që kryeministri Edi Rama zëshëm e thotë diçka të tillë në Kuvendin e Republikës Kosovës, ndonëse s’është hera e parë që e përmend si ide.
“Nuk është hera e parë, por është hera e parë zëshëm që kryeministri Rama, në Kuvendin e Kosovës, e tha që Kosova duhet njënanshëm të vazhdojë bisedimet, por më herët ka thënë që Kosova njënashëm duhet ta implementojë draft-statutin, që në njëfar forme, ai e ka sjellë një draft- dokument në emër të palëve më herët, por edhe ka besuar që Kosova duhet ta ndërtojë, draftojë e pajtojë me BE-në me SHBA-të një draft-statut i cili njënanshëm mund të implementohet. Kjo, në kuadër të angazhimeve, që ai, si kryeministër dhe si njëri prej liderëve rajonalë me influencë, e ka shtyrë edhe në agjendën e BE-së e edhe me partnerët si SHBA në këtë rast”, ka thënë Haziri për Express.
Megjithatë Haziri thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përfaqëson një mentalitet plotësisht tjetër politik meqë e ka refuzuar formatin që kërkon kryeministei Rama, pra që Kosova të negociojë me BE si ndërmjetëse dhe SHBA si ndihmëse.
Haziri shprehet se kryeministri Albin Kurti duke thënë se nuk negocion me Serbinë, ka rënë në gropën e negociimit 100% me Serbinë.
Haziri në fund thotë se mendësia politike e Kurtit s’përputhet me atë që kërkon kryeministri Edi Rama, prandaj sipas tij, duhet pritur Qeverinë e ardhshme që del nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Tani, z. Kurti përfaqëson mendësi totalisht të kundërt, sepse ai këtë format të bisedimeve e ka refuzuar totalisht, jo me Serbinë, por me BE-në dhe SHBA-në, sepse duke thënë që nuk negociojë me Serbinë, ka ra në gropën e negociimit me Serbinë qind për qind, dhe përfaqësimi i një mendësie, formati e profili tjetër, nuk është i përputhshëm me atë që e ka thënë z. Rama. Në këtë rrafsh, duhet pritur zgjedhjet e ardhshme dhe qeverinë e ardhshme”, ka përfunduar Haziri.