Haxhiu për Kusari-Lilën: S’e meriton me qenë deputete, e fëlliqë edhe mandatin

Haxhiu për Kusari-Lilën: S’e meriton me qenë deputete, e fëlliqë edhe mandatin

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë se për ta shpëtuar veten, Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, është në gjendje me akuzu edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që kanë bashkëpunuar me Serbinë për të luftuar.

Këto komente, Haxhiu i ka bërë në fjalën e tij në seancën plenare të enjten, ku po diskutohet në lidhje me bisedën që u publikua të mërkurën në mes të Kusari-Lilës dhe terroristit Milan Radojiçiç.

“Për me pshtu veten kjo është në gjendje me akuzu edhe UÇK-në që kanë bashkëpunu me Serbinë për me luftu”, tha fillimisht Haxhiu, pasi që paraprakisht Kusari-Lila akuzoi atë se kanë bashkëpunuar me Listën Serbe.

“Kjo është logjika e sajna që s’e meriton me qenë deputete sepse e fëlliqë edhe mandatin e deputetit”, potencoi ai, duke i thënë kryeshefes së VV-së se “je bashkëpunëtore në krim”.

Pas publikimit të incizimeve, Haxhiu ka kërkuar të mërkurën edhe që Kuvendi të fillojë procedurat për marrjen e mandatit të Kusari-Lilës.

“Kuvendi i Kosovës duhet të fillojë procedurën për marrjen e mandatit të Mimoza Kusarit-Lila për shkak të bashkëpunimit të saj me kryeterroristin Milan Radojçiq, për votim të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese dhe eliminimin e veteranëve të UÇK-ës nga Ligji për Pagën Minimale dhe kundër Projektligjit për Trustin”, shkroi Haxhiu në Facebook të mërkurën.

Nga ana tjetër, Kusari-Lila, në një konferencë për shtyp të enjten, por edhe në seancën plenare ka mohuar të ketë biseduar me kriminelin serb, duke e cilësuar “të montuar” audio-incizimin.

Kusari-Lila ka akuzuar gazetarët se përmes “luftës hibride” janë duke tentuar “ta pastrojnë figurën” e terroristit serb. Mediumi “Paparaci” ka publikuar një audio-incizim në të cilin ajo flet me kryebanditin serb rreth votimit të ligjit për pagën minimale dhe votimin e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese.

“Unë nuk kam folur me Radoiçiçin në telefon për ligjin për pagën minimale ose për gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese. Nuk kemi pasur nevojë për mbështetjen e tyre. Fatkeqësisht, tendenca për ta pastruar figurën e kriminelit Radoijçiç në mediat tona është për keqardhje”, ka deklaruar ajo, duke përmendur një bisedë tjetër.

“Vetëm një bisedë ka ndodhur me Radoijçiçin në gjuhën shqipe, ai ka qenë në arrati, kjo është e vërtetë, ideja ka qenë e garancës se nuk do të ketë telashe në veri, për të cilat më pas nuk ka pasur asnjë aksion. Pas një jave, ai ka sjellë një letër kërcënuese, me të cilën ka përfunduar çdo komunikim me Listën Serbe”, ka shtuar deputetja e LVV-së./AP

Shpërndaje në: