Haxhiu i vë “duart në zjarr”: Asnjë ministër s’krijoi pasuri duke e mbajtur këtë pozitë, qytetarët e dinë
Duke folur për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka dhënë garanca të forta që asnjë nga ministrat e kabinetit aktual qeveritar – e lëre më kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – nuk kanë krijuar pasuri duke e mbajtur këtë pozitë.
“Unë sot me përgjegjësinë e plotë e them që asnjë nga ministrat e kabinetit qeveritar, assesi kryeministri Kurti, nuk ka krijuar pasuri duke qenë ministër”, tha ajo në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, RTK.
“E kuptoj kur e thoni për veten, por pse garantoni për të tjerët?”, e pyeti gazetarja.
Në pamundësi për të dhënë një përgjigje adekuate, Haxhiu tha se të “njëjtën gjë mendojnë edhe qytetarët”.
“Është tjetër çka që bëhet një luftë brutale, për shembull së fundi goditet ministri, Hajrullah Çeku, paskan ndarë një subvencion për një orgnaizatë joqeveritare”, shtoi ajo duke potencuar se ministrat “nuk ndajnë subvencione”.
Ajo ndër të tjera ka ftuar ministrat e ekzekutivit të jenë më transparent me publikun dhe të informojnë qytetarin “cila është e vërteta”, meqë sipas saj, ka “shumë shpifje” e “shumë thashetheme”.