Hashimi dhe Specialja

Hashimi dhe Specialja

“Pranova që ta udhëheq një proces të padrejtë historik ndaj Kosovës”, shtoi Presidenti i Kosovës.

“Kosova mbajti fjalën, e themeloi gjykatën e bashkësia ndërkombëtare nuk plotësoi asgjë cka premtoi. Kosova, si asnjë vend në rajon, bashkëpunoi për themelimin e gjykatës speciale”, tha ai

“Të gjithë të akuzuarit shqiptarë të akuzuar nga Tribunali i Hagës u dorëzuan vullnetarisht në Hagë. Kosova u tregua më lojalja dhe u dëmtua më së shumti”, shtoi Thaçi.

Hashim, a ta thanë? Në 8 rreshta nga teskti më lartë i ke nëntë shenjues nënshtrimi/gjashtë tyxharllëku
1. Pranim. 2 Padrejtësi historike. 3. Mbajtje fjale. 4. Themelim. 5. Mosplotësim i premtimit reciprok. 6. Bashkëpunim. 7. Dorëzim vullnetar. 8. Lojalitet. 9. Dëmtimin më të shumtë.
Këta janë 9 shenjues nga tetë rreshta të deklaratës së sotme të Thaçit për Gjykatën Speciale. Nuk kam nevojë të citojë këtu filozofë që thonë se njeriu banon në gjuhë, apo se gjuha e flet të vërteten e Qenies, e së këndejmi vetë qenësorin meqë nuk ka se si të nënkuptohet më lehtë kjo gjë tanimë nga vetë goja e protagonistit.

Dhe hiç shenjuesit 2 dhe potencialisht 7 dhe 8, gjashtë nga shenjuesit e tjerë janë vokubularë tregu. Demek tyxharllëku siç është edhe vetë qeveria e dalur së fundi. Pse tregu e tyxharllëku? Sepse tregu e tregtia i kanë të gjitha këto: pranimin e ndonjë oferte, (mos)mbajtjen e fjalës, themelimin e diçkaje (ndërrmarje etj.), mosplotësimin e premtimit reciprok, bashkëpunimin, por edhe mundësinë e dëmtimin më të shumtë.

Është ironike, se si shenjuesin e vetëm që reminishon diç në të kaluarën e partisë dhe bindjeve politike që kishe e ke 2-shin. “Padrejtësi historike”. Gryka e kohës, koha si horizont e si atmosferë ushqyese e njeriut me gjasë ta nxorri këtë klithmë ankestare që duket se kumboi nga ditët e “para-evoluimit”. Të kohës kur nuk u shndrruat me një mbledhje të vetme në “parti të djathtë”. E klithma ankestare nuk të kryen punë tani meqë as historia që ju bëri dhe e bëtë,  por as padrejtësitë të cilat më shumë i bëtë se që ju bënë,  nuk rekuprohen me deklarata. (Pa)drejtësia e historia janë fjalë të mëdha për tu deklamuar në blic-konferenca shfajësimi.

Vetëmse rrugëtimi yt drejt këtij zhvleftësimi të drejtësisë e historisë nis që herët. Në njëfarë mynyre kur vetë shenjuesi 1 kumboi 9’shin: pranimi – dëmtimin më të madh. Nuk the gjë të re as kur the se Raporti i Dick Martyt erdhi pas fitores së 2010-tës. Ato zgjedhje u humbën nga partia yte, por ngelët në pushtet meqë partia jote dhe ti personalisht u patë të denjë si negociatorë të një procesi pa busull që krejt çfarë ka bërë është futja e Serbisë në Kosovë përmes partisë së saj zgjatim. Kur shkele në pasluftë me qëllim a paqëllim harrove se ke shkelur edhe në formën më vulgare të kapitalizmit.

E si të nxjerrin ata që sot i kritikoje po ta rikujtoj nga ky raport i BDN-së gjermane i vitit 2005:

Aktivitetet kriminale tё organizuara tё kosovarёve shqiptarë akoma shfaqin njё rrezik pёr Evropёn dhe vazhdojnё tё zhvillojnё qёndrimin e tyre. Njё diiasporё e madhe shqiptare nё shtete tё ndryshme tё Evropёs ndihmojnё krimin  e organizuar pёr tё ekzekutuar akivitetet e tyre. Ka lidhje tё ngushta poashtu nё mes tё strukturave politike dhe ekonomike nё Kosovё dhe aktorët kyç janё HALITI, THAÇI, HARADINAJ dhe LLUKA. Rrjeti mbrapa personave tё tillё mbёshtet jostabilitetin politik. Kёto struktura tё krimit tё organizuar nuk kanё ndonjё nxitje pёr tё ndёrtuar sistemin shtetёror i cili ёshtё funksional, pasi qёkjo zvogёlon biznesin e tyre. Nё kёto baza, Kosova do tё mbetet tё luajё rolin kyç nё kontrabandimin e drogёs kudo nё Evropё.

Këtë copë teksti e ndajnë pak vite (mbase 2) prej kur të quajtën Xhorxh Vashington. Dhe t’i e di mirë se si të njejtit i buzëqeshnin Mubarakut, Mursit, Millosheviqit…U pe dhe shihesh  si kukull nga ata që po tu’a ndiente veshin për ligjin ndërkombëtar përpara do të intervenonin në Siri sesa tek ne, pavarësisht se sa na e lyejnë kokën me akull ty e ne.

Ndaj edhe e ke të kotë tua thuash atyre se ç’është drejtësia.
Drejtësi e histori do të ishte po të ta fliste qenien ky lloj teksti:

Nuk pranova/nuk pranoj të jem në krye të asnjë procesi të padrejtë ndaj Kosovës.
Plotësuam obligimet tona ndërkombëtare ndaj presim edhe reciprocitet nga partnerët tanë.
I qëndrojmë pas idesë se drejtësia nuk njeh etni, por konsiderojmë që viktima në asnjë mynyrë nuk mund të barazohet me agresorin.

Nuk qe në pozicionin ta thuash sot këtë. Pikërisht pse në rrugëtimin tënd 17 vjeçar pati më së paku drejtësi e histori. Pati vetëm tregti(m), dhe copëza të flagështa tekst si më lart. Edhe rrezik për Europën edhe Xhorxh Vashington. Edhe trafikantë organesh  edhe kukull që i kryen punë politikave ballkaniste të Perëndimit. Nga ne thonë: nuk po t’knohet mirë.

 

Shpërndaje në: