Hasani: Është antikushtetuese mënyra se si presidentja e ka refuzuar Blerim Isufajn për kryeprokuror
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka kritikuar presidenten Osmani.
Ai tha se është antikushtetuese mënyra se si presidentja Vjosa Osmani e ka refuzuar propozimin që Blerim Isufaj të zgjidhet kryeprokuror.
Hasani ka thënë se ka argumente kundër Isufajt, por sipas tij ato “duhet të ndiqen sipas procedurave”.
“I kam pasur vërejtjet e mia dhe s’janë ndjekur procedurat. Por, mënyra se si e ka refuzuar presidentja ka qenë antikushtetuese. Duhet të ketë një procedurë të drejtë dhe të paanshme. Të hapet procedura sipas ligjeve dhe më i miri është ai kandidat që i kalon procedurat dhe s’ka pengesa ligjore. Presidentja ka të drejtë dhe duhet të japë arsye ligjore, por më vjen keq s’mund të përdorësh vlerësimin e shërbimit informativ si bazë për të më vlerësuar një post”, ka thënë ai në KTV.