Harroni tmerret e fundit të estradës, kënga që sapo publikoi Ledri Vula duhet të jetë më e keqja nga të gjitha

Harroni tmerret e fundit të estradës, kënga që sapo publikoi Ledri Vula duhet të jetë më e keqja nga të gjitha

Na ka ardhur edhe neve në majë të hundës më të japim kritika e të shkruajmë gjëra jo shumë të këndshme rreth estradës tonë por, OH ZOT I MADH – për të 100-tën herë.

Të paktën na lini të qetë për një javë. E dimë se pandemia duhet t’u ketë prekur jashtëzakonisht shumë në aspektin financiar dhe e kuptojmë se tash dëshironi të dilni në fitim edhe për ata muaj sa qëndruat pa ndeja e netë nëpër diskotekat tona dhe jo vetëm, të cilat nuk e kanë problem t’iu ofrojnë deri në 10k për një performancë katastrofale, play-back. Estrada kosovare duhet të ketë standardin më të ulët në histori, ose aty diku, sa i përket asaj që u ofron shikuesve në një event ku janë të ftuar të performojnë. Por këtë diskutim po e lëmë për njëherë tjetër.

Të kthejmë vëmendjen pak nga Ledri i Vulajve, i cili thjesht ka qenë skandaloz nga albumi i fundit e këndej. Në fakt, shumë kohë para albumit ai kishte pasur një periudhë të gjatë të materialeve të tmerrshme, derisa iu kthye avazit të vjetër menjëherë pas 10/10, që poashtu ishte larg të qenurit një projekt i mirë, por e vlerësojmë që të paktën u mundua të thoshte diçka të mençur.

Këto të fundit janë thjesht përtej të dobtës. Vetëm dëgjoni njëherë këngën që sapo e publikoi në bashkëpunim me Majk dhe do ta kuptoni…

Sa i përket Majk, ai thjesht nuk është më i denjë as për kritika pas horrorit dhe tejkalimit të kufirit të degradimit me këngën e parafundit, ‘ajo po don parra, parra,” apo si ishte titulli.

Zot i madh, nuk di si jeton ai njeri me atë përgjegjësi të të pasurit një këngë të tillë mbi supet e veta.

Por, ksaj radhe, edhe shoku i tij në këngën e re, nuk është se ia la keq.

‘Po lypi si ti, po s’pe shoh unë asnjo, e di ko me t’marrë, e sigurtë si kasko,’ thotë Vula, e që duket qartazi se edhe vetë e di se ajo që po e thotë është absolutisht katastrofale, teksa as që mundohet të thotë diçka solide. Paksa, sikur fyen publikun me këto vargje, pasi duhet të jetë duke menduar se ‘dhezë’ çfarëdo projekti që publikon, e që ka një klip veror dhe Majkin në sfond duke lëshuar zëra melankolik.

Meqë ra fjala, atë rimën me ‘e sigurtë si kasko’, e ke përdorur edhe herë të tjera, djalosh, kështu që të lutemi e të përgjërohemi të mos e përsërisësh më pasi nuk është aq impresive sa mund të të duket ty.

”Ti mu m’deh, m’bon si Narco, je t’u m’ndje oh diablo,” vazhdon ai tutje. Sinqerisht, vetëm lexoni këto vargje dhe mendoni a është kjo ajo që duhet të shfaqet në TV dhe të paraqitet si vlerë apo art.

Nuk do të futemi fare në analizën e rreshtave të tjerë të tij, pasi vazhdohet me të njejtën tempo të dobët të fjalëve që tingëllojnë sikur të jenë të marra nga Abetarja. Po, janë aq sipërfaqësore.

Të lutemi Ledri Vula, nëse je duke e lexuar këtë, të lutemi reflekto, të përgjërohemi, sepse kjo është përtej asaj që mund ta përballojë njeriu. Sidomos një fans i yti që të ka përcjellur nga koha e ”sex, rap & money”. Për hir të sinqeritit, gjëja e vetme e qëlluar në këtë projektin e fundit, është ajo këmisha ‘oversized’, gjithçka tjetër është thjesht e keqe. /Periskopi.com/

 

Shpërndaje në: