Harris: Ne do të fitojmë
Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, ka thënë se është e nderuar që gëzon mbështetjen e presidentit aktual, Joe Biden për t’i hyrë garës presidenciale të nëntorit dhe që synon fitoren.
“Do të bëj gjithçka që mundem për të bashkuar Partinë Demokratike – për të bashkuar kombin tonë – për të mposhtur Donald Trumpin dhe agjendën e tij ekstreme Projekti 2025”, ka thënë Harris përmes një deklarate.
“I kemi 107 ditë deri në ditën e zgjedhjeve. Së bashku do të luftojmë. Dhe së bashku do të fitojmë”.
Ky vendim vjen pas thirrjeve në rritje për largim të Bidenit nga gara për zgjedhjet e nëntorit, sidomos pas një debati që ka zhvilluar me kandidatin e republikanëve për president, Donald Trump, në të cilin nuk ka pasur performancë të mirë.
“Ka qenë nderi më i madh i jetës sime që të shërbej si president”, ka thënë Biden, duke paralajmëruar që do të flasë më shumë gjatë javës lidhur me këtë vendim.
Biden, 81-vjeçar është infektuar më herët gjatë javës me koronavirus dhe është në izolim në shtëpinë e tij në Dellauer.
Biden u ka rezistuar me javë thirrjeve për t’u tërhequr nga gara, duke thënë se është personi më i mirë për të mposhtur Trumpin, 78-vjeçar.
Biden e ka mposhtur Trumpin më 2020, duke garantuar fitore në shtetet kritike si Pensilvania, Uiskonsin dhe Miçigan.
Konventa e Demokratëve, në të cilën emërohet zyrtarisht kandidati për president, do të mbahet më 19-22 gusht në Çikago, Illinois.
Nëse zgjidhet si kandidate demokrate, Harris, 59-vjeçare, ish-prokurore dhe senatore e Kalifornisë, do të bëhet gruaja e parë me ngjyrë në historinë amerikane, që do të garojë për presidente.