Harris apo Trump, flet Çitaku: Raportet me ShBA-të varen se kush është në krye të Qeverisë së Kosovës

Harris apo Trump, flet Çitaku: Raportet me ShBA-të varen se kush është në krye të Qeverisë së Kosovës

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot më 5 nëntor do të mbahen zgjedhjet presidenciale, ku në garë për të parin e Shtëpisë së Bardhë janë Kamala Harris, nga Partia Demokratike dhe Donald Trump, nga Partia Republikane dhe president nga viti 2017 deri më 2021, shkruan Periskopi.

Kosova, përgjatë viteve, ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e SHBA-së, pavarësisht lidershipit të saj politik.

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku në një deklaratë për Periskopin thotë se pak ka rëndësi se cili nga kandidatët do të jetë në krye të Shtëpisë së Bardhë.

‘’Po, natyra e raporteve me SHBA nuk varet vetëm nga kush është në Shtëpi të Bardhë, por edhe kush është në krye të institucioneve të Kosovës’’, u shpreh ish-ambasadorja.

Çitaku nënvizon se marrëdhëniet me shtetin mik janë në nivel të dobët, duke shtuar se krejt kjo situatë ka ardhur si rrjedhojë e mos koordinimit të Qeverisë së Kosovës nën udhëheqjen e Albin Kurtit.

‘’Joe Biden është miku më i madh i Kosovës, i familjarizuar deri në detaje me çështjen e Kosovës. Fatkeqësisht, për shkak të qasjes avatureske dhe të papërgjegjshme të qeverisë së Kosovës, raportet me SHBA kanë arritur nivelin më të dobët në më shumë se tri dekada.’’

Ish-diplomatja shton se mbështetja ndaj Kosovës nuk ka munguar nga dekomkratët e as nga republikanët.

‘’Kosova me dekada ka gezuar mbeshtetje bi-partizane. Edhe demokratet edhe republikanet, ne faza te ndryshme kane mbeshtetur fuqishem Kosoven drejt lirise, pavarsise, shtetndertimit, dhe fuqizimit te subjektivitetit nderkombetar.”

Miliona amerikanë sot shkojnë drejt qendrave të votimit për zgjedhjet presidenciale, derisa llogaritet një garë e ngushtë me mes zëvendëspresidentes Kamala Harris dhe ish-presidentit Donald Trump.

Sot është dita e vendimit në betejën e Amerikës për Shtëpinë e Bardhë dhe kontrollin e Kongresit. Derisa, rezultatet mund të duhen ditë ose javë për t’u numëruar. Kurse, rezultatet fillestare në orët pas mbylljes së votimit mund të mos jenë përcaktuese./Zana Rugova/ PERISKOPI/

 

Shpërndaje në: