Hardh Fest-i është gati, ja detajet (Foto)
Festivali Harth Fest këtë vit mbahet për herë të 16-të në Rahovec, i cili nis prej datës 7 deri më 10 shtator të këtij viti.
Udhëheqësit e këtij festivali sot përmes një konference kanë dhënë detajet se çfarë do të ketë për turistët, gjatë kohës edhe sa do të zhvillohet kjo ngjarje.
Koordinatorja Dea Luma ka thënë se qëllimi i sivjetmë i Harth Fest është që të ndërkombëtarizohet si festival.
Luma ka treguar se tanimë kanë hapur 17 zyre nëpër gjitha vendet e botës, për të promovuar festivalin në fjalë.
Ndërsa drejtori kreativ i festivalit, Agi Haxhimurati ka paraqitur planin kreativ që do të jetë përgjatë katër ditëve.
Ai ka treguar për mënyrën se si do të zhvillohet fushata kreative, duke nisur prej ngjyrave që janë përdorur e deri tek sllogani për këtë vit.
Harth Fest ndryshe prej viteve të tjera, do ta ketë slloganin ‘Mbas verës, vjen vera’’.
Haxhimurati ka thënë se pritshmëritë për numrin e vizitorëve, për këtë vit janë që të arrihet numri i 50 mijë njerëzve të cilët vijnë ta përcjellin këtë Festival.
‘Duke marrë parasysh edhe faktin që kësaj here i kemi katër ditë të festivalit’’, ka thënë ai.
Ndërsa drejtori artistik i Festivalit Harth Fest, Gardalin Shtavica ka dhënë detaje rreth muzikës që do t’i argëtojë të pranishmit.
Ai ka treguar se do të ketë larmani të muzikës, kështu duke bërë pubik edhe emrat e artistëve të njohur që do të performojnë.
Grupi ‘Familja Shtavica; do të jenë një ndër ta që do të kujdesen për disponimin e njerëzve, pastaj Grupi 403, rokeri i njohur Joe Tynn Turner si dhe Dj të tjerë.
Harth Fest edhe këtë vit mbështetet nga Ministria e Bujqësisë, Komuna e Rahovecit, dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./Periskopi/