Haradinaj uron Trumpin: Nën udhëheqjen e tij, krijuam Ushtrinë e Kosovës
Ramush Haradinaj, kandidati për kryeministër i koalicionit AAK-Nisma-Konservatorët-E30, ka uruar presidentin e rizgjedhur amerikan Donald Trump për fitoren në zgjedhjet presidenciale. Në një postim në Facebook, ish-kryeministri i Kosovës vuri në dukje rëndësinë e SHBA-së për Kosovën.
“Nën udhëheqjen e President Trump kemi krijuar Ushtrinë e Kosovës,” shkroi Haradinaj, duke shtuar se është i bindur se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë si aleati ynë më i fortë dhe i palëkundur.”
Haradinaj theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes amerikane për synimet e Kosovës, duke përmendur veçanërisht anëtarësimin direkt në NATO. “Në këtë rrugëtim për konsolidimin e shtetit dhe synimin tonë afatshkurtër drejt anëtarësimit direkt në NATO, mbështetja e SHBA-së mbetet kyçe,” tha ai. Haradinaj përfundoi duke shprehur admirimin e tij për procesin zgjedhor amerikan, duke e quajtur atë një pasqyrim të “vlerave të demokracisë dhe fuqisë së vullnetit të lirë të qytetarëve.”