Haradinaj: Shqipëria, Kroacia dhe Turqia garantuan për lirimin e Hashim Thaçit – veç Kosova jo

Haradinaj: Shqipëria, Kroacia dhe Turqia garantuan për lirimin e Hashim Thaçit – veç Kosova jo

Lirimi përfundimtar i Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit nga Gjykata Speciale, ka bërë që shumë detaje të reja të dalin në publik lidhur me procedurat në Hagë.

Në kohën kur Hashim Thaçi dhe krerëve të tjerë të UÇK-së nuk iu lejohej në asnjë mënyrë arresti shtëpiak ose mbrojtja në liri, një masë ishte lënë e hapur.

Ajo e garancisë për lirim në një vend të tretë, nëse të njëjtat shtete garantojnë kushte strikte për ndonjërin prej të akuzuarve.

Nasim Haradinaj në disa intervista gjatë dy ditëve të fundit, ka bërë të ditur emrat e tri shteteve që garantuan për lirimin e Hashim Thaçit nga Gjykata Speciale.

Sipas Haradinajt, këto tri shtete ishin: Shqipëria, Turqia dhe Kroacia.

“Pushteti nuk e ka kryer obligimin qytetar e kushtetues ndaj qytetarit të vet në Hagë. Jo për të burgosurin Hashim, Nasim, për një të burgosur qoftë kriminel, apo edhe terrorist. Ai duhet me ofru të gjitha garancitë, përfshirë lirimin e përkohshëm mbrojtjen në lirë. Asnjë garancion i thjeshtë nuk është që do do thonë ish leshu me pa ba, ndoshta ishin mbrojt në liri, dhe turpi më i madh a di cili është: kanë ofru tri shtete tjera, njëri në rregull. Se e ka obligim me i mbrojt krejt shqiptarët, por ka garantu edhe Kroacia e Turqia për Hashimin. Kosova jo, as atëherë as sot”, ka thënë Haradinaj.

Pavarësisht garancive, Hashim Thaçit nuk iu aprovua lirimi me kusht në asnjërin prej këtyre shteteve.

Kjo pasi trupi gjykues në Hagë konstatoi se sigurimi i procedurave do të jetë i duhur, vetëm me Thaçin në Qendrën e Paraburgimit.

Megjithatë, me këtë nuk ishte pajtuar njëri prej gjyqtarëve. Kai Ambos, gjyqtar gjerman, kishte thënë se nëse ka shtete të treta që japin garanci të qarta, mund të shqyrtohet lirimi me kusht.

“Një shtet i tretë që mund të marrë (pranojë) dhe, nëse është e nevojshme, të monitorojë një të dyshuar ose të akuzuar. Shteti mund të paraqes një ofertë të rëndësishme, ndoshta vendimtare brenda kornizës së lirimit me kusht. Ndërsa kjo ofertë ishte tepër e paqartë, siç thuhet me të drejtë në vendim dhe, në çdo rast, do të kërkohej një zotim i shprehur nga shteti i tretë, një ofertë e tillë mund të ishte më e saktë dhe konkrete në rastet e ardhshme dhe, në vijim, logjika i Panelit për këtë vendim mund të jetë një argument i fortë në favor të lirimit me kusht. Sigurisht, vendimi konkret është gjithmonë specifik për secilin rast dhe oferta e Shtetit të Tretë nuk garanton kurrsesi se do të jepet lirimi me kusht. Këtu, përsëri, unë thjesht dua të rris ndërgjegjësimin, domethënë që një ofertë e tillë, nëse bëhet konkretisht dhe mbështetet me garanci, përfshirë nga Shteti i Tretë përkatës, mund të zhvendosë ekuilibrin në favor të lirimit me kusht dhe për këtë arsye duhet të konsiderohet seriozisht nga Gjyqtari gjykues ose Kolegji kompetent”, thuhej në parashtrimin e Kai Ambos.

Megjithatë, edhe në këtë rast Ambos ishte i vetëm. Ai u mbivotua nga anëtarët e tjerë të trupit gjykues, dhe Thaçit e të tjerëve iu refuzuan kërkesat për lirim nga paraburgimi.

Madje, në Kosovë ishte diskutuar me të madhe fakti që Ambos, në ankesat e tjera nuk ishte caktuar në trupat gjykues të Gjykatës së Apelit. Për disa herë me radhe, Kai Ambos, nuk ishte pjesë e paneleve.

Mirëpo, kryetarja e Gjykatës Speciale e kishte mohuar kategorikisht që largimi i Ambosit, kishte të bënte me qëndrimin rreth lirimit të Thaçit.

“Pikë së pari ne jemi gjykatë që bazohet në sundimin e ligjit. Në ligj thuhet se gjyqtarët do të emërohen dhe mbikëqyren sipas nenit 62 të Ligjit dhe Kushtetutës. Gjyqtarët emërohen përmes një procesi shumë të rreptë të filtrimit. Para një paneli të pavarur që përbëhet nga tre anëtarë, dy gjyqtarë ndërkombëtarë me reputacion të lartë dhe ekspertizë të madhe, dhe një juristi të njohur. Buxhetimi, mbikëqyrja, vendi rregullohen me Ligjin”,deklaronte kryetarja e Gjykatës Speciale.

Gjyqtari Kai Ambos është nga Gjermania, dhe disa herë është nderuar edhe me mirënjohje atje.

Nasim Haradinaj e Hysni Gucati në këto intervista, janë shprehur të pakënaqur me trajtimin nga institucionte e Kosovës

Shpërndaje në: