Haradinaj: Raporti i Progresit pasqyron shthurjen e sistemit qeverisës në Kosovë
Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se Raporti i Progresit ka treguar për ndikimin që ka pasur kryeministri Albin Kurti, gjatë qeverisjes së tij.
Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se largimi i Kurtit nga qeverisja po shndërrohet çdo ditë në një obligim kombëtar për të gjithë ne.
“Raporti i Progresit, ashtu siç pritej, reflekton në masë të madhe shthurjen e sistemit qeverisës në Kosovë dhe largimin e vendit nga të gjitha proceset që e përafrojnë drejt Bashkimit Evropian”.
“Kjo shfaqet në cenimin e demokracisë parlamentare, ndërhyrjet në media, sabotimin e sistemit të drejtësisë, defektet në prokurim, e pothuajse në çdo fushë të jetës”, ka shkruar Haradinaj.
Ndër të tjera, ai ka thënë se kreu i ekzekutivit e ka distancuar Kosovën edhe nga proceset që e bëjnë atë anëtare të NATO-s.
“Në katër vitet e fundit, Kurti e largoi dhe e sabotoi Kosovën nga proceset që e bëjnë anëtare të NATO-s. Me këtë raport shihet se e gjithë agjenda e tij është largimi i Kosovës nga të gjitha integrimet euroatlantike”.
Çka thuhet në Raportin e Progresit për Kosovën?
Në raportin e progresit të Komisionit Evropian për Kosovën është kritikuar Qeveria e Kosovës për veprimet në katër komunat veriore, derisa sulmi në Banjskë të Zveçanit gjatë vitit të kaluar është cilësuar si “përshkallëzimi më i rëndë në vitet e fundit”.
“Kriza të tjera u shkaktuan nga çështje që lidhen me shpronësimin e tokave nga Qeveria në veri; nga miratimi i një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës për transaksionet me para të gatshme, që ndikoi negativisht të serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera joshumicë; nga operacionet policore për mbylljen e zyrave të institucioneve të drejtuara nga Beogradi, që ofronin ndihmë për komunitetet joshumicë; dhe nga ndalimi i vazhdueshëm i importit të mallrave me origjinë serbe”, thuhet në raport.
Në raport theksohet po ashtu se edhe situata mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur e tensionuar, edhe pse ka pasur progres në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
“Arritjet e dukshme përfshijnë marrëveshjet historike të dakorduara në shkurt dhe mars, 2023 [për normalizimin e marrëdhënieve], hapat përgatitorë në themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, avancimet në sektorin e energjisë dhe zotimet për adresimin e çështjes së personave të pagjetur”, thuhet tutje në raport.
Raporti i Progresit për vitin 2024 në Kosovë ka vlerësuar po ashtu se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ka bërë përpjekje për të ushtruar kontroll mbi mediat.
“Megjithatë, kjo u shoqërua me zhvillime të perceptuara si përpjekje të qeverisë për të ushtruar kontroll mbi mediat,” thuhet në pjesën e raportit që trajton mediat.
Në raport përmendet se Kuvendi i Kosovës nuk ka marrë parasysh shumicën e rekomandimeve të Bashkimit Evropian në lidhje me ligjin për Këshillin e Pavarur të Mediave.
Sipas tij, Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa mjedisi i biznesit në vend është përmirësua.
Në këtë dokument, Kosova inkurajohet t’i intensifikojë përpjekjet e saj për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike, si dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes.
Derisa kujton se Kosova ka dorëzar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, raporti thekson se Komisioni është i gatshëm për të përgatitur një opinion për aplikimin e saj, kur një gjë e tillë të kërkohet nga Këshilli.
Aty kujtohet se mbajtësit e pasaportave biometrike në Kosovë gëzojnë regjimin e udhëtimit pa viza drejt BE-së, që nga 1 janari i këtij viti, ndërsa nga tetori, të njëjtën të drejtë e kanë edhe poseduesit e pasaportave të Serbisë, që ua lëshon Drejtoria Koordinuese Serbe.