Haradinaj për Kurtin: Ose është shkurtpamës, ose ndjek agjenda të huaja – e ka shpëtuar Serbinë

Haradinaj për Kurtin: Ose është shkurtpamës, ose ndjek agjenda të huaja – e ka shpëtuar Serbinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka adresuar kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për shpëtimin e Serbisë nga përgjegjësia për sulmin në Banjskë dhe për afërsinë e saj me regjimin e Vladimir Putinit.

Në një intervistë për A2 CNN, Haradinaj ka thënë se veprimet e Kurtit kanë dobësuar pozicionin e Kosovës dhe kanë forcuar Serbinë në arenën ndërkombëtare.

“Serbia ka bërë shumë veprime destabilizuese, por nuk është ndëshkuar falë Kurtit. Politikisht Kurti është miop, nuk kupton strategjinë e gjeopolitikës, është shkurtpamës, ose është në agjenda të huaja. Veprimet e tij e kanë shpëtuar Serbinë nga përgjegjësia për sulmin e Banjskës dhe nga afërsia me regjimin e Putinit dhe nga të gjitha ato padrejtësi që vazhdon t’ia bëjë Kosovës. Ata bënë deklaratën panserbe. Ta kishin bërë shqiptarët një deklaratë të tillë do të ishte çuar gjithë bota në këmbë. Me akte ligjore të tyre marrin vendime për Kosovën dhe të gjitha këto Serbia i bën për shkak të ndihmës që i jep Kurti, i cili e pozicionon Kosovën aq keq sa ata nuk sanksionohen”, ka thënë Haradinaj.

Sipas Haradinajt, Kurti ka pranuar draftin më të keq të mundshëm për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe tani po luan lojëra të rrezikshme me partnerët ndërkombëtarë.

Kreu i AAK-së shtoi se opozita ishte e para që shprehu shqetësim për këtë draft dhe paralajmëroi se, nëse do të jetë në qeveri, do të kërkojë një draft të ri ose do ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“Kurtit i kanë ofruar amerikanë edhe aleatët e BE një draft për të shpëtuar Kosovën nga ndonjë pasojë nga asociacioni. Kurti nuk ka shkuar kësaj rruge, por e ka pranuar privatisht draftin e BE dhe e ka lavdëruar. Të parët që kanë shprehur shqetësim për draftin e BE janë kryetarët e partive opozitare dhe unë. Kurti ka pranuar draftin më të keq të Kosovës. Kjo është një lojë e rrezikshme e tij. Ai ka pranuar dhe ka shkuar aq larg sa nuk po i nënshkruan Serbia. I edhe për shkak të votave i ndërron fjalët e veta”, ka shtuar Haradinaj.

Në lidhje me Raportin e Progresit të Komisioni Evropian, Haradinaj e cilësoi atë si një zhvillim negativ.

“Nuk ka lajm më të keq se progresi i BE, nuk ka lajm më të keq se raporti i progresit të BE-së, nuk trajton nevojën për të hequr këto sanksione. Kosova ka progres të limituar dhe BE duhet t’i heqë sanksionet. Leximi i këtij raporti dhe mungesa e kritikës është fakti se është nën sanksione, ashtu sikurse Rusisë dhe ndonjë vendi armik. Raport-progresi është vendnumërim, asnjë ndryshim nga e kaluara. Qeveritarët po mundohen ta mbulojnë por mos harro që jemi nën sanksione”, ka thënë ndër të tjera Haradinaj.

Shpërndaje në: